Lajme

​Aksident i rëndë në Itali, furgoni përplaset me autobus, gjashtë të vdekur dhe 27 të lënduar

Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe 27 të tjerë mbetën të plagosur në një aksident të rëndë rrugor që ndodhi pasditen e së dielës pranë kufirit mes rajoneve Lazio dhe Umbria, në Itali.

Sipas hetimeve paraprake të Policisë Rrugore, një furgon kampingu dyshohet se kaloi në korsinë e kundërt të lëvizjes, ku u përplas ballë për ballë me një autobus që udhëtonte në drejtim të Rietit, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Në aksident u përfshinë edhe tre automjete të tjera, njëri prej të cilëve u përmbys si pasojë e përplasjes.

Mes viktimave janë dy drejtuesit e autobusit, dy pasagjerë të autobusit dhe dy persona që ndodheshin në furgonin e kampingut.

Katër nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike dhe janë transportuar me helikopterë të urgjencës drejt Spitalit Gemelli në Romë dhe spitalit të Ternit, sipas ANSA-s.

Të Ngjashme