Izmir Kurmekaj është 34 vjeçari që ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në aksin Bajram Curri-Qafë Morinë, pasi automjeti me të cilin ai udhëtonte ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë. I plagosur rëndë ka mbetur dhe shoku i tij, Redon Dollapaj.
Shkak i aksidentit në afërsi të fshatit Kasaj mendohet të jetë bërë një shtyllë e tensionit të lartë që ndodhet në këtë aks rrugor, e cila është denoncuar shpesh nga banorët dhe është kërkuar të zhvendoset, sepse po merr përditë jetë.

Aksi Bajram Curri-Qafe Morine, vendi ku ndodhet shtylla
Izmiri kishte ardhur në jetë pas gjashtë vajzave në familjen Kurmekaj dhe lajmi i kobshëm që ka mbërritur mbrëmjen e djeshme, ka tronditur të gjithë të afërmit dhe komunitetin e Tropojës.
Makina ka rënë në humnerë dhe shoferi 34 vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, Redon Dollapaj i cili është dhe infermier në spitalin e Tropojës, gjatë rrotullimit të mjetit ka dalë nga xhami dhe është me plagë të rënda.

Njoftimi mortor per Izmir Kurmekaj
Ai është dërguar me urgjencë drejt Kosovës dhe po merr mjekim në Gjakovë. Ka qenë rastësia që e ka shpëtuar 38 vjeçarin, pasi dyshohet se nuk ka qenë i siguruar me rrip sigurimi dhe nga inertësia e rrotullimeve të makinës, ka përfunduar nga xhami, jashtë saj.
Siç shihet dhe në këtë pamje satelitore që ka siguruar neësbomb.al, shtylla e tensionit të lartë ndodhet në mes të rrugës dhe aty korsitë ndahen në mes, duke u shndërruar gjatë natës në një rrezik fatal për shkak edhe të fushëpamjes së kufizuar.

Shtylla e tensionit te larte qe ndan ne mes rrugen Bajram Curri-Qafe Morine
Nëse udhëton nga fshati Kasaj për në Qafë Morinë, kthesa nuk ofron dukshmëri për shtyllën e tensionit të lartë dhe në anën e poshtme të saj, është një greminë e thellë. Ndërkohë, nëse udhëton në sensin e kundërt, fushëpamja në kthesën ku ndodhet shtylla e tensionit është e plotë.
