Lajme

Aksion i madh i Prokurorisë dhe Policisë, kapen marihuanë, kokainë dhe mijëra euro

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policia e Kosovës, ka realizuar me sukses një operacion antidrogë të koduar “D…”, nën udhëheqjen e Prokurorit të shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër të prokurorit janë ndaluar pesë persona në raste të ndryshme, të ndërlidhura me një objekt banesor. Katër prej tyre dyshohen për kryerjen e veprës penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa një person tjetër dyshohet për “hyrje të paautorizuar kompjuterike” dhe “mashtrim kompjuterik”.

Pas një hetimi intensiv dhe grumbullimit të informatave relevante për aktivitetet kriminale, janë identifikuar katër persona të dyshuar për shpërndarje të narkotikëve të llojit marihuanë dhe kokainë në Komunën e Prishtinës.

Në kuadër të këtij operacioni, janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme, ku janë sekuestruar mbi 3 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 25 qese me substancë të dyshuar të llojit kokainë (11.9 gramë), para të gatshme në vlerë prej 4045 euro, 40 funta dhe 40 franga, dy vetura dhe katër telefona celularë.

Prokurori i shtetit pritet që brenda afatit ligjor të parashtrojë kërkesë për caktimin e masave për sigurimin e pranisë së të dyshuarve në procedurë penale.

Të Ngjashme