Lajme

Aksion simbolik kundër pasaktësive të ekspozitës për masakrat në Kosovë

Me pankarta – me shifra të sakta të viktimave të luftës, aktivistë kanë ndërmarrë një aksion simbolik në shenjë reagimi ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të cilat u larguan nga sheshi i Prishtinës për shkak të numrave të pasaktë të viktimave të luftës. Ky veprim u shoqërua me kritika të ndaj organizatorëve dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, raporton KosovaPress.

Aktivistët thanë se aksioni i tyre synon të korrigjojë, siç u shprehën, një shtrembërim të së vërtetës dhe të mbrojë kujtesën historike të viktimave. Sipas tyre, ekspozimi i ditëve të fundit në shesh ka përmbajtur pasaktësi që nuk duhet të tolerohen.

Njëri nga aktivistët, Visar Dili theksoi se aksioni ishte shprehje e pakënaqësisë qytetare dhe përpjekje për të rikthyer të vërtetën mbi viktimat.

Dili: Aksion simbolik kundër deformimit të së vërtetës historike

“Ne sot në shenjë pakënaqësie kemi zhvilluar këtë aksion simbolik duke dashur edhe një herë që të dëshmojmë që e pavërteta e vërteta qëndron në formë tjetër dhe ajo çfarë është ekspozuar ditëve të fundit në sheshin e Prishtinës është një e pavërtetë dhe ne nuk jemi të interesuar të marrim informata dhe dëshmi nga armiku ynë shekullor, por informatat dhe dëshmitë i kemi në gjithandej Kosovës, në të gjitha ato varre, gjitha ato memoriale të cilat gjenden”, tha ai.

Aktivist Astrit Gjoci theksoi se përpjekjet për ta arsyetuar situatën dhe për ta politizuar debatin janë të papranueshme, duke kërkuar që çështja të trajtohet vetëm mbi bazën e fakteve dhe argumenteve.

Gjoci: Reagimi ndaj ekspozitës: mbrojtja e së vërtetës dhe sakrificës së popullit

“Dhe sot ky reagim vjen prapë si shkak i asaj që kanë filluar ta arsyetojnë, në sensin ta amortizojnë si simbolikë të kësaj ekspozite dhe në njëfarë forme të fusin përçarje mes qytetarëve duke krijuar narrativa sikur kjo është sulm politik. Dhe kjo nuk guxon të ndodhë as të ketë sulme në kuadër të sensit politik, por as të ketë mbrojtje në kuadër të sensit politik, por të ketë sulm dhe mbrojtje në kuadër të fakteve dhe argumenteve sepse është diçka që neve na përfaqëson si popull, është një sakrificë për të cilën ne kemi dhënë shumë. Dhe sot kjo liri dhe kjo mënyrë e ekspozitës dhe kjo mënyrë e shprehjes së pakënaqësisë tonë është veç si shkak i asaj sakrifice dhe atij gjaku që është derdhur”, tha ai.

Gjoci u shpreh se një kërkim falje nga organizatorët do të kishte qenë i mjaftueshëm për të qetësuar reagimet, por sipas tij, arsyetimet e dhëna deri më tani vetëm sa kanë shtuar pakënaqësinë dhe ndjenjën e fyerjes te qytetarët.

Ndërsa, duke folur për verifikimin e të dhënave, ai deklaroi se gabimet kanë qenë lehtësisht të kontrollueshme përmes burimeve ekzistuese në Kosovë, si varrezat dhe memorialet e viktimave.

Gjoci: Fakte të verifikueshme janë në varre dhe memoriale, jo në referenca të jashtme

“Tendenca me i arsyetu ato fakte, duke na tregu neve se si referencë ka pasur Natasha Kandiqin, kjo është edhe një herë më tepër fyerje sesa ajo fyerja që ka ndodh përmes pankartave. Ka qenë shumë lehtë i verifikueshëm, nuk ka pas nevojë të bazohen te Natasha Kandiqi kur i kanë pas varret në Prekaz dhe kanë mujtë me shkua me i numërua varret nëse s’kanë pas emra dhe nuk ka pas lista zyrtare. Nuk ka pas nevojë për Natasha Kandiqin se i ka pas varret në Krushë dhe i ka pas memorialet me të gjithë emrat e viktimave, po ashtu nuk ka pas nevojë sepse në Dubravë është një memorial i cili ka emra, pavarësisht nëse është listë zyrtare ose jo. Këto mund të jenë të verifikueshme lehtë sepse varret nuk zhduken, viktimat kanë ekzistuar, njerëzit sot, familjet ende i kanë plagët e hapura edhe munden me shpjeguar sepse ka dhe prej atyre që e kanë përjetuar atë tmerr në Burgun e Dubravës dhe nuk ka pas nevojë të shkojmë deri te Natasha Kandiqi”, tha ai.

Aktivistët kërkuan që institucionet përkatëse të trajtojnë seriozisht këtë çështje dhe të sigurojnë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, duke theksuar se respektimi i së vërtetës historike është detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

Ndërkohë, aksioni i aktivistit Astrit Gjoci kishte nisur që mbrëmë si shenjë pakënaqësie ndaj gabimeve në të dhënat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.

Gjatë ditës së sotme, pasi Komuna e Prishtinës hoqi lejen për vendosjen e ekspozitës në shesh, ekipet e kryeqytetit larguan tabelat.

Një natë më parë, qytetarë dhe ish të burgosur reaguan për numrin më të vogël të të vrarëve në Krushë dhe Prekaz, si dhe për përmbajtjen ku thuhej se 45 të burgosur shqiptarë të vrarë në Burgun e Dubravës ishin të armatosur.

Të Ngjashme