Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë detaje shtesë lidhur me aksionin e zhvilluar mëngjesin e sotëm në ambientet e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria bëri të ditur se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat A.I.K., Florije Lecaj, zyrtare në ARBK, dhe Igballe Rexha, u.d. e kryeshefes, dyshohen për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.
Tutje, bëhet e ditur se të njëjtat, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicialet I.B., të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas dyshimeve, ato kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘’N.K.W.P’’ ’’Sh.P.K’’ në vlerë mbi 50.000 euro.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.
