Kreu i Institutit Demokratik të Kosovës (IKD) Ismet Kryeziu ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e saj të plotë, sipas të cilit përgjegjësia për bllokimin e Kuvendit i takon shumicës dhe komuniteteve pakicë jo-serbe.
Kryeziu në një postim në Facebook shkruan se dështimi për konstituimin e legjislativit të nëntë nuk ndodhi për shkak të pengesave nga komuniteti serb, por për shkak të mos votimit të shumicës së deputetëve.
Përgjegjësia për bllokimin e Kuvendit i takon shumicës dhe komuniteteve pakicë jo-serbe, e jo komunitetit serb, dhe për këtë arsye Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar, ka shkruar ai.
Gjykata Kushtetuese po ashtu bëri të ditur se vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një ose disa anëtarë të Kryesisë për arsye që nuk varen nga vullneti i shumicës, por për shkak të pengimit nga deputetë apo grupe të caktuara politike, përfshirë ato të komuniteteve pakicë, Kuvendi mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë. Për sa kohë që Kryesia ka kuorum për vendimmarrje, përfundon Kryeziu.
Gjykata Kushtetuese sot ka publikuar aktgjykimin e plotë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 (Zgjedhja dhe mandati) dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 (Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka urdhëruar që seanca konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, raporton KosovaPress.
Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

