Bashkëpunimi mes LDK-së dhe PDK-së është shfaqur në disa raste si një aleancë taktike, e ndërtuar mbi interesa të përbashkëta politike. Ky koordinim ka nxitur debate të shumta, duke u perceptuar nga një pjesë e opinionit publik si veprim i sinkronizuar që shpesh tejkalon dallimet e tyre programore.
Në vazhdën e zhvillimeve të fundit politike, janë evidentuar disa veprime të cilat kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
Publicisti Idriz Zeqiraj, thekson disa raste që i cilëson si të turpshme, të dërguara në Gjykatën Kushtetuese nga LDK-ja me mbështetjen e PDK-së.
Ai përmend si rast të parë kërkesën për bllokimin e dy urave paralele me Urën e Evropës, të cilën e konsideron të pajustifikuar dhe të dëmshme.
Si shembull të dytë, Zeqiraj ndalet te vendimi për anulimin e pikave shtesë të votimit për mërgatën, duke theksuar se kjo ka ndikuar negativisht te mërgimtarët, të cilët për shkak të distancave të mëdha drejt ambasadave e konsullatave u ndjenë të përjashtuar dhe u larguan nga mbështetja tradicionale për LDK-në.
“I pari, kërkesën për bllokimin e dy urave binjake, paralele të Urës “varr” të Evropës, e cila sfidoi meriturshëm ndërkombëtarët dhe Beogradin, duke ua vërtetuar se asgjë nuk do të ndodhte edhe sikur të lejohej për qarkullim Ura e bllokuar e tyre;
Së dyti, dihet se Mërgata gjithherë ka qenë, në të shumtën absolute, pjesë e LDK-së. Me propozimin e Ministrisë të Diasporës, KQZ vendosi hapjen e pikave votuese shtesë, për arsye se Ambasadat dhe Konsulatat ishin në distancë të madhe. Personalisht, përmes një shkrimi publik apelova pë hapjen e vend-votimeve shtesë, duke llogaritur, për shëmbull, Gjermaninë. Republika e Thüringen-it është 450 kilometra larg Konsulatës të saj në Mynih; Koburg, Würzburg, Nürnberg dhe të tjera, kishin, përkatësisht, 300, 250, 200 km. distancë me Konsulatën e Mynih-ut. Llogaritur vajtje-kthim, përkatësisht, dyfishin 900, 600, 500, 400 km. Gjykata e anuloi vendim në fjalë, duke pranuar vetëm votimin në përfaqësitë diplomatike. Mërgimtarët u hatëruan, deri në zemrim dhe vetëm simbolikisht votuan LDK-në! Pra, ishte një armiqësi e kërkuar nga LDK-ja” – thotë ai.
Zeqiraj vlerëson se dëmi ndaj LDK-së dhe Kosovës është thelluar nga rehabilitimi i krimit dhe kriminelëve, të cilët, në vend të ndëshkimit, janë rikthyer dhe avancuar deri në majat e pushtetit, thotë ai për “Bota sot”.
“Stërkeqja e LDK-së dhe e Kosovës është thelluar pikërisht me rehabilitimin zyrtar të krimit dhe të kriminelëve, të cilët, në vend të hetimi dhe dënimit, nga sorrollatjet nëpër gjyqe e burgje, vendore dhe ndërkombëtare, përsëri i ngritën shkallët e karrierës, deri në kupolën e pushtetit dhe të shtetit” – përfundon ai.

