Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës pas miratimit të Buxhetit për vitin 2026, një proces që sipas tij ishte vonuar nga fundi i vitit të kaluar.
Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se miratimi i buxhetit është “lajm tejet i mirë për Republikën dhe qytetarët”.
Ai shtoi se falënderon të gjithë deputetët për votën mbështetëse, por edhe për vërejtjet dhe kritikat e tyre, të cilat do të shqyrtohen gjatë rishikimit të buxhetit.
Sipas tij, buxheti i këtij viti, me një vlerë rreth 4 miliardë euro, përfshin 867 milionë euro për komunat, pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, dhe dyfishimin e shtesës për përvojën e punës në 0.50% për 15 vitet e para.
Po ashtu, ai ka shtuar se është shtyrë afati për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, deri në miratimin e Ligjit të ri për Tatimin në Pronë në konsultim me komunat.
Postim i plotë:
Miratimi i Buxhetit është lajm tejet i mirë për Republikën dhe qytetarët. Rikujtojmë se buxheti i vitit 2026 ishte dashur të miratohej në fund të vitit të kaluar, por miratimi i tij u bë i mundur vetëm tani. Falënderoj të gjithë deputetët dhe deputetet për votën mbështetëse, por edhe për vërejtjet dhe kritikat e tyre, të cilat do të mund të trajtohen së shpejti me rastin e rishikimit të tij.
Megjithatë, buxheti i miratuar sot, në vlerë prej rreth 4 miliardë euro, parasheh 867 milionë euro për komunat; përfshin pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik; përmban ndryshimin e nevojshëm që mundëson dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para; si dhe shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, derisa të miratojmë Ligjin e ri për Tatimin në Pronë, në konsultim me komunat e vendit tonë.
Gjithashtu, më të rritet mbështetja për barna esenciale, për kulturën dhe për sportin. Rritet edhe mbështetja për ndërmarrësit në sektorin privat dhe për bujqit, si dhe për investime në infrastrukturë publike.
