Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur kritikave për vendimin e qeverisë në detyrë për të ndarë shtesa prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët pak ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kurti në tubimin elektoral në Gjilan, tha se reagimet, sipas tij, vijnë nga ata që kanë përfituar më herët nga keq menaxhimi i buxhetit të shtetit, raporton KosovaPress.
Ai përdori metafora për të përshkruar luftën kundër korrupsionit, duke deklaruar se “kur dëgjoni piskamat, britmat, sharjet e ofendimet, dijeni se janë për shkak se gjilpëra e shtetit ua ka shpuar gishtat atyre që i mbanin duart te thesi i shqyer i buxhetit”.
Kurti: Piskamat dhe sharjet vijnë sepse gjilpëra e shtetit ua ka shpuar gishtat
“Qeveria jonë është karakterizuar me dy drejtime kryesore që përbëjnë shinat e binarëve të trenit tonë progresiv. E kemi thur thesin si buxhet të shtetit dhe kemi ‘qepur’ thesin si buxhet të shtetit, e kemi thur gardhin si kufij të Kosovës. Këto dyja i kemi bërë bashkë. Kur e kemi qepur thesin me gjilpërë te vendi i shqyer ku ishte thesi janë ndier disa britma. Kjo ka ndodhur pasi aty ku ishte thesi i shqyer nuk ishte vetvetiu, por dikush i kishte gishtat dhe duart aty ku ishte shqyer thesi si buxhet i shtetit. Me gjilpërën tonë ia kemi shpuar duart dhe gishtat dikujt që i ka pasur aty ku ka qenë thesi i shqyer. Ne nuk mundemi të ndalemi, por ata duhet t’i largojnë duart nga thesi. Thesi duhet të rrihet në mënyrë që të kemi gjithçka e më shumë çka të shpërndajmë… Kur dëgjoni piskamat e britmat e sharjeve e ofendimeve dhe fyerjeve, dijeni se janë për shkak se iu ka shpuar gjilpëra e shtetit teksa cep thesin e shqyer gishtat dhe duart ku i kishin aty ku s’duhet… Ju e patë se kishte ndonjëri që na kritikoi dhe kundërshtoi pse po i mbështesim fëmijët dhe pensionistët me nga 100 euro para Vitit të Ri. Por, të dashur qytetarë, ne këtë e kemi bërë vjet dhe parvjet”, tha Kurti.
Kurti theksoi nevojën që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të fitojnë mbi 50 për qind, pasi siç tha, nuk po mjafton që në zgjedhje të dilet vetëm i pari, por të fitohet shumë.
Kurti: Koalicioni LVV të fitojë mbi 50 për qind
Mbështetja kësaj radhe me 28 dhjetor doemos duhet të jetë më e madhe sesa me 9 shkurt. Nuk po mjafton që të fitojmë, por duhet të fitojmë shumë që të fitojmë…Është shumë vështirë me i ra tamam kësaj opozite, por tamam ju mundeni ta bëni më datën 28 dhjetor duke fituar koalicioni Lëvizja Vetëvendosje mbi 50 për qind”, tha Kurti.
Krahas kësaj, Kurti tha se gjatë mandatit të tij ka dyfishim të qarkullimit të bizneseve, në rreth 25 miliardë euro. Madje ai tha se vetëm gjatë vitit 2025, bizneset kanë fituar 2.3 miliardë euro, ndërkaq shtetit i kanë paguar 230 milionë euro.
Kurti: Bizneset gjatë vitit 2025 kanë fituar 2.3 miliardë euro
“Sivjet 230 milionë euro kanë paguar bizneset private tatim për buxhetin e shtetit. Meqenëse tatimi është 10 për qind, fitimi i tyre ka qenë 2.3 miliardë euro. E para qeverisjes sonë kurrë bizneset në përgjithësi nuk i kanë prekur 900 milionë euro fitim… Kjo ka qenë e mundur pasi nuk mund ta gjeni asnjë biznes në këta gati pesë vjet që nga kryeministri, ministrat ose kabinetet tona i kërkon dikujt ndonjëherë ryshfet para se të fillojë biznesin ose haraç për ta ndarë fitimin në fund të biznesit. Drejtësia, sundimi i ligjit, transparenca, antikorrupsioni është shndërruar në rritje të bizneseve, rritje ekonomike dhe rritje të buxhetit të shtetit”, përfundoi Kurti.

