Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se për çështjen e zgjedhjes së presidentit duhet të ketë diskutime serioze.
Ajo pohoi se nuk e ka mbyllur seancën e 5 marsit, por vetëm e ka ndërprerë.
Haxhiu gjithashtu ka theksuar se, si kryetare e Kuvendit, do të angazhohet maksimalisht për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Eshref Ymeri.
Ai thotë se shmangia e zgjedhjeve të shpeshta është e arsyeshme, dhe ai fajëson opozitën për krijimin e krizës politike, duke e konsideruar atë si të dëmshme për vendin dhe kombin.

Eshref Ymeri
Sipas tij, vetëm Lëvizja Vetëvendosje mbron interesat e shtetit, ndërsa opozita po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja për interesa pushteti.
“Zonja Albulena Haxhiu shqetësohet me shumë të drejtë për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sepse është paradoksale ta mendosh ta futësh vendin në tri palë zgjedhjeje brenda një viti. Dhe kjo vetëm për fajin e opozitës tradhtare, e cila duhet vlerësuar si fatkeqësi kombëtare jo vetëm për Republikën e Dardanisë, por edhe për mbarë kombin shqiptar. Dardania ka qenë dhe mbetet “koka” e mbarë kombit shqiptar, prandaj “sëmundja” e saj politike rrezikon “të infektojë” mbarë atdheun amë, ku qeveris një pasardhës i Enver Hoxhës, një armik i mbarë kombit shqiptar, kopje e Vuçiçit të Beogradit.
Situata e krijuar për faj të opozitës, dëshmon se Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi formacion politik që mbron interesat jetike të Republikës së Dardanisë. Me qëndrimin antikombëtar për zgjedhjen e Presidentit, opozita po ushtron presion për zgjedhje të reja, me të vetmin qëllim që të rikthehet në pushtet. Si mund të dilet nga kjo situate”,u shpreh profesori.
Profesori propozon që fillimisht Albin Kurti të kërkojë publikisht bashkëpunim nga opozita për zgjedhjen e Presidentit dhe, nëse ajo refuzon, ta ekspozojë para opinionit si pengesë politike.
Pastaj, ai sugjeron që Lëvizja Vetëvendosje të shtyjë për një referendum, në mënyrë që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe kjo të bëhet pjesë e Kushtetutës, për të shmangur kriza të ngjashme në të ardhmen.
“Së-pari, Kryeministri Albin Kurti duhet t’i drejtohet opozitës me një thirrje të hapur, drejtuar edhe mbarë opinionit publik, duke e ftuar të bashkëpunojë me Vetëvendosjen për zgjedhjen e Presidentit. Nëse opozita vazhdon të mos pranojë, atëherë ajo duhet demaskuar publikisht, si kolonë e pestë e Serbisë fashiste.
Së-dyti, Vetëvendosja duhet të organizojë një referendum për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Një zgjedhje e tillë duhet të pasqyrohet në Kushtetutën e Republikës së Dardanisë, me qëllim shmangien përfundimtare të zgjedhjes së Presidentit me votën e deputetëve të Kuvendit”, shpjegon profesori.
Në fund ai nënvizon që zgjedhjet e parakohshme nuk e zgjidhin krizën, sepse sipas tij problemi qëndron te votuesit që mbështesin opozitën, të cilën ai e konsideron të dëmshme.
“Me zgjedhje të parakohshme nuk shmanget kriza politike. Kjo për faj të asaj pjese të elektoratit, e cila ia jep votën opozitës tradhtare.
Kriza e tanishme politike në Republikën e Dardanisë dhe në Republikën e Shqipërisë, në të cilën po qeveris një armik i kombit shqiptar, si Edvin Rama, nxjerr në pah një të vërtetë tragjike me traditë shumëshekullore: shqiptarëve u ka ardhur e keqja nga vetvetja, e cila vazhdon t’i rrënojë edhe në shek XXI me shpopullimin e pandalshëm të trojeve të tyre”, përfundoi profesori Ymeri për “Bota sot”.
