Lajme

Ambasada amerikane: Grupet iraniane mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me SHBA-të në Shqipëri

Departamenti i Amerikan i Shtetit përmes ambasadës amerikane në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në Shqipëri dhe në mbarë botën për një rrezik të shtuar nga grupet e lidhura me Iranin, si pasojë e konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.

Sipas alertit të sigurisë, grupet e mbështetura nga Irani mund të synojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.

Gjithashtu ekziston mundësia që të vihen në shënjestër vende publike të zakonshme, si atraksione turistike, qendra tregtare, hotele, klube nate dhe restorante.

“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Ky paralajmërim vjen si pjesë e një “Worldwide Caution” (Kujdes global) të lëshuar më 22 mars 2026, pas operacioneve ushtarake amerikane në Iran. Ai thekson se objektivat diplomatike amerikane, madje edhe jashtë Lindjes së Mesme, janë vënë në shënjestër dhe se grupet pro-iraniane mund të veprojnë kundër interesave amerikane kudo në botë.

Shqipëria ka shprehur mbështetje të fortë për veprimet e SHBA-së ndaj Teheranit dhe ka miratuar një rezolutë që e cilëson Iranin si “shtet sponsor të terrorizmit”./rtsh.al/

Të Ngjashme