Policia e Kosovës ka përfituar një donacion nga Ambasada Britanike në Kosovë, i cili përfshin 2 automjete dhe 16 dronë me pajisje përcjellëse, me vlerë totale 153.000,00€.
Në kuadër të partneritetit dhe bashkëpunimit, Drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare, z. Fehmi Xhata, dhe përfaqësuesja e Ambasadës Britanike në Kosovë, znj. Emma Huntley, nënshkruan marrëveshje për pranim-dorëzimin e një donacioni të Policisë së Kosovës.
Ky donacion përfshin 2 automjete dhe 16 dronë me pajisje përcjellëse, me vlerë totale 153.000,00€. Pajisjet do të ndihmojnë njësitet policore në identifikimin, gjurmimin, monitorimin dhe përcaktimin e vendndodhjes së automjeteve dhe personave të dyshimtë.
Pajisjet e specializuara do të profesionalizojnë punën e Policisë, veçanërisht të njësive kufitare, duke mbështetur parandalimin e krimit transkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm.
Policia e Kosovës falënderon Ambasadën Britanike për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke bërë të mundur përdorimin e donacionit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, patrullimin kufitar dhe shërbimin efikas ndaj qytetarëve.
