
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it janë takuar sot me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për të biseduar për situatën politike në vend. Pas takimit, ambasadorët e kanë theksuar nevojën për të formuar sa më shpejt një qeveri të re.
Ambasada e Italisë në Prishtinë, në një postim në Facebook, ka shkruar se ambasadorët ia kanë cekur Kurtit nevojën që të formohen sa më shpejt institucionet.
“Sot, ambasadorët QUINT-it u takuan me kryeministrin në detyrë Kurti. U theksua nevoja për të formuar shpejt një qeveri të re, në mënyrë që Kosova të mund të ecë përpara në prioritetet kryesore, siç është avancimi drejt integrimit euroatlantik”, njofton Ambasada e Italisë në Prishtinë.
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it
Për këtë takim ka shkruar edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
“Sot, ambasadorët e QUINT-it u takuan me kryeministrin në largim Kurti. Për progres në integrimin evropian të Kosovës, duhet një qeveri stabile dhe funksionale. Status-quo aktuale nuk i sjell dobi askujt”, ka shkruar Orav në platformën “X”.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, po ashtu ka thënë se duhet formuar sa më shpejt qeveria e re.
“Kosovës i duhet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime. Më mirë dje se nesër. Presin shumë detyra të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare dhe nevojitet përparim në çështjet jetike. Ky ishte mesazhi kryesor që zëvendësi im, së bashku me kolegët e QUINT-it, përcollën në një takim me kryeministrin në detyrë Kurti”, ka shkruar Rohde në Bluesky.
Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, ka bërë që presidentja e vendit, Vjosa Osmani të reagoi rreth kësaj situate në vendin tonë.
Presidentja Vjosa Osmani tashmë ka ftuar në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend.
Siç njofton Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, presidentja e vendit ka propozuar që takimi të mbahet më pesëmbëdhjetë maj në orën trembëdhjetë.