Lajme

Ambasadori gjerman – liderëve politikë: Mendoni se çka është më e mira për Kosovën, kemi nevojë për institucione stabile

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar se të gjithë aktorët politikë duhet të mendojnë për të mirën e vendit dhe të mbështesin agjendën evropiane, duke nënvizuar rëndësinë e institucioneve stabile për të ruajtur momentumin pozitiv.

Nuk kam asnjë ide se si do të vendosë Gjykata Kushtetuese dhe thjesht nuk më përket mua. Ajo që është me rëndësi për ne është që të kemi institucione stabile me të cilat do të punojmë, dhe siç e thatë edhe ju, keni pasur dy palë zgjedhje nacionale vitin e kaluar, plus pastaj zgjedhjet lokale.

Tani, nga perspektiva ime, duam të punojmë me vendin, kemi një agjendë në të cilën punojmë – agjendë ekonomike, politike e të sigurisë – dhe për këtë thjesht na duhen palët e kundërta me mandat me të cilët do të punojmë. Sigurisht që jam në kontakt me të gjitha palët politike, të qeverisë e të opozitës, por nuk e konsideroj punë time të them dikujt që është i zgjedhur demokratikisht. Përpiqem ta theksoj se është në interesin tonë që të kemi institucione dhe stabilitet institucional, thjesht që të vazhdojmë punën në agjendën tonë të përbashkët”, deklaroi ambasadori. 

Ai nënvizoi se të gjithë aktorët politik duhet të veprojnë në interes të vendit dhe të mbështesin agjendën evropiane. 

Mesazhi për të gjithë aktorët politik në të gjithë spektrin: mendojeni se çka është më e mira për vendin, në kuptimin e ndërveprimit me ne, me miqtë tuaj ndërkombëtarë, pra për agjendën ndërkombëtare evropiane që duhet të shtyhet përpara. Ajo çfarë mund të bëjmë ne si miq të këtij shteti është që ta marrim këtë dinamikë që rrjedh nga vet vendi; nuk mund ta krijojmë ne vetë, dhe për të pasur këtë momentum pozitiv, na duhen institucione stabile që përfaqësojnë vendin”, tha ai.

Rudolph potencoi se partneriteti i Gjermanisë me Kosovën është i fortë dhe i përkushtuar, me fokus në zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, tregti, investime, zhvillim dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të Ngjashme