Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Analistët: Krijimi i institucioneve është një nevojë urgjente

 
   

Krijimi sa më shpejtë i institucioneve të reja konsiderohet urgjencë shtetërore, pasi që shumë institucione po funksionojnë ende me ushtrues detyre dhe pa borde me mandat të plotë.

Ekspertët dhe monitoruesit e punës së institucioneve, theksojnë se kjo situatë është problem i madh, meqë që po e pengon funksionimin normal të shtetit dhe po e bën të paqartë legjitimitetin e disa vendimeve të marra nga ata që ushtronin detyra. 

Mazllum Baraliu, analist politik, tha për Radio Kosovën se shumë institucione të pavarura po funksionojnë pa mandat të plotë dhe pa kuorum, çka po e vështirëson punën e tyre. Ai theksoi se kjo është një çështje emergjente, që kërkon veprim të shpejtë nga Kuvendi dhe Qeveria.

 “Është urgjente që asnjë ditë të mos humbet pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Shumë institucione të pavarura janë pa mandat ose pa kuorum dhe kanë vështirësi në funksionim. Kjo situatë po e vështirëson procesin e vendimmarrjes. Për këtë arsye, shteti duhet ta stabilizojë sa më shpejt funksionimin institucional. Ky është një detyrim urgjent për çdo deputet dhe çdo subjekt politik që është ose do të jetë i përfaqësuar në Kuvend”, ka thënë Baraliu.

Monitoruesit e punës së institucioneve, gjithashtu e konsiderojnë të domosdoshëm krijimin e shpejtë të institucioneve. Vullnet Bukaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një përgjigje për Radio Kosovën theksoi se ka raste kur edhe ushtruesit e detyrës kanë kaluar afatin e mandatit dhe ende nuk janë zëvendësuar. Ai shtoi se vendimet e marra nga ata që janë në pozita ushtruese mund të vlerësohen si të jashtëligjshme për shkak të mungesës së mandatit.

“Shumë agjenci të pavarura dhe institucione kushtetuese, që janë themeluar nga Qeveria e Kosovës, po veprojnë me ushtrues detyre. Në disa raste, mandati i ushtruesve të detyrës ka skaduar dhe ende nuk janë caktuar zyrtarë të rinj përkatës. Kjo është shumë urgjente dhe e nevojshme, pasi administrata publike mund të mbetet pa drejtues të ligjshëm dhe shërbimet administrative mund të bllokohen për shkak të vendimeve që mund të atakohen si arbitrare,” theksoi Bukaqku.

Krijimi i institucioneve dhe garantimi i funksionimit të tyre të pavarur është kërkuar vazhdimisht edhe nga bashkësia ndërkombëtare, që thekson rëndësinë e stabilitetit dhe legjitimitetit të institucioneve shtetërore për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.