
Analizat e Agon Zejnullahut për toksikologji nuk kanë mundur të kryhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu ka konfirmuar, shefja e Barnatores Qendrore në këtë institucion, Dardane Mehaj.
Ndonëse u përurua në shkurt të 2025-ës, Shërbimi i Toksikologjisë nuk është funksionalizuar ende. Mirëpo, edhe në qoftë se do të ishte funksional, ky shërbim është paraparë të ofrohet vetëm për pacientët e gjallë.
Mehaj thotë në shkurt është përuruar vetëm hapësira dhe pajisjet, pasi që ende nuk kanë filluar me ofrim të shërbimeve të analizave të toksikologjisë.
Ky shërbim ajo premton se do të funksionalizohet brenda 3 javësh.
Shefja e Barnatores Qendrore pohon se QKUK-ja ka arritur një marrëveshje me Institutin e Forenzikës për trajnimin e toksikologëve.
Mehaj e konfirmon që në QKUK ka punësuar tetë toksikologë vite më parë, ndonëse në këtë institucion nuk ka ekzistuar një Shërbim i Toksikologjisë.
Në mungesë të Laboratorit të Toksikologjisë, megjithëse ishin punësuar si toksikologë, ata kishin kryer detyra të tjera.
Toksikologët ishin paguar me koeficient 12, pasi që me kontrata ata ishin rekrutuar për këto pozita, gati dyfish sa paguheshin kolegët e tyre farmacistë.
Kjo ajo thotë se ishte edhe arsyeja se pse QKUK-ja nuk hapi konkurs për toksikologë.