Tre kongresistë nga Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një nismë të re në mbështetje të Kosovës.
Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler kanë dorëzuar një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ku kërkojnë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Rezoluta, e paraqitur më 30 prill dhe e mbështetur nga të dy partitë, nënvizon rëndësinë strategjike të integrimit të Kosovës në aleancën euroatlantike, në një kohë kur sfidat e sigurisë në rajon vazhdojnë të jenë të pranishme.
Në tekstin e saj, ndër të tjera, thuhet se “për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të frenuar këto përpjekje armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”.
Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha në një prononcim për “Bota sot”, thotë se rezoluta e kongresistëve amerikanë për anëtarësimin e Kosovës në NATO brenda dy vitesh është vazhdim i politikës strategjike të SHBA-së ndaj Kosovës.
Ai thekson dy përfitime kryesore: rritje e sigurisë – anëtarësimi në NATO do t’i jepte Kosovës garanci mbrojtjeje kolektive dhe do ta parandalonte çdo mundësi sulmi nga Serbia dhe forcim i shtetësisë – do të rritej subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe do të ushtrohej presion mbi shtetet e BE-së që nuk e njohin ende.
“Kongresistët nga të dy partitë këto ditë kanë prezantuar një rezolutë me të cilën kërkohet që Kosova të anëtarësohet në NATO brenda 2 viteve. Kjo është vazhdimësi e politikës së SHBA-ve për Kosovën. Jo shumë kohë më parë Kosova u përfshi si interes strategjik për SHBA-të. Kjo rezolutë do t’i ketë shumë të mira për Kosovën, po i përmbledhi dy:
1.Ofron garanci për sigurinë e Kosovës. Në Kosovë kemi KFOR-in mirëpo kur Kosova bëhet anëtare e NATO-s ka detyrime për rritjen e kapaciteteve ushtarake. Dhe mbi të gjitha, në rast të ndonjë sulmi do të mbrohet nga të gjitha shtetet tjera të NATO-s. Kjo do të shuan përfundimisht ëndrrat e Serbisë për ndërhyrje me forcë në Kosovë.
2.Forcon subjektivitetin shtetëror të Kosovës. SHBA-të sigurisht se do të bëjnë presion që shtetet e BE-së që po refuzojnë ta njohin Kosovën dhe do të detyrohen ta njohin”, shprehet ai.
