I riu nga Maliqi, Egli Pashollari u vra pasditen e kësaj të premteje në Tiranë. Policia njoftoi më herët se ngjarja tragjike u regjistrua rreth orës 15:40, ku pas një konflikti të ndodhur në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, Pashollari u godit me thikë.
Burime për mediat bëjnë me dije se pas kësaj ngjarje qëndrojnë anëtarë të fisit Buçpapa nga Tropoja. Thuhet se sapo 31-vjeçari doli nga automjeti i tij, tre persona, përfshirë dhe një vajzë iu afruan dhe u konfliktuan me të.
Konflikti degradoi deri në përdorimin e armëve të ftoha. Dyshohet se ka qenë shtetasi Gazment Buçpapa ai i cili e ka qëlluar 31-vjeçarin me thikë mbrapa kurrizit.
Menjëherë atij iu dha ndihma e parë në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetonte plagëve duke ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Policia njoftoi më herët se autorët e kësaj ngjarje janë shpallur në kërkim, ndërkohë që kryeqyteti është futur në shtetrrethim kjo për shkak se pas ngjarjes tragjike te “Kongresi i Lushnjes”, disa metra më larg dhe 10 minuta më vonë një tjetër ngjarje e përgjakshme u regjistrua.
Ka qenë shtetasi Besjan Ferazini i cili pas një konflikti qëlloi me armë zjarri 34-vjeçarin Akil Koxharxhiku.
“Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi Egli Pashollari, rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi Akil Koxharxhiku, 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi Policia më herët./newsbomb
