Turqia po përpiqet të ulë në tryezën e negociatave zyrtarët amerikanë dhe iranianë me shpresën e zbutjes së kërcënimit të veprimeve ushtarake amerikane kundër Iranit.
Dy zyrtarë turq, të cilët folën në kushte anonimiteti për Associated Press sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin me median, thanë se Turqia po përpiqet të organizojë një takim midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe udhëheqësve iranianë. Takimi mund të zhvillohet që në fund të javës, tha njëri prej zyrtarëve.
Presidenti iranian tha të martën se i ka udhëzuar ministrit të jashtëm të vendit të “ndjekë negociata të drejta dhe të barabarta” me Shtetet e Bashkuara.
Duke shkruar në X, Pezeshkian tha në anglisht dhe persisht se vendimi erdhi pas “kërkesave nga qeveritë mike në rajon për t’iu përgjigjur propozimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për negociata”.
SHBA-ja nuk ka konfirmuar nëse planifikon të marr pjesë në ndonjë negociatë.
Ushtria amerikane ka zhvendosur anijen luftarake USS Abraham Lincoln dhe disa shkatërrues me raketa të telekomanduara në Lindjen e Mesme.
Mbetet e paqartë nëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump do të vendosë të përdorë forcën kundër qeverisë iraniane, siç ka sugjeruar se mund ta bëjë në shenjë hakmarrjeje për shtypjen shkatërruese të protestave të muajit të kaluar dhe ndërsa bën presion për një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit.
