Aktuale

“Apeli i Hungarisë për zgjimin e Ballkanit”- Arben Malaj: Të angazhohemi që ta mundim mbretërinë tonë kryeministrore, të lyrosur nga korrupsioni dhe kapja e shtetit

Ish-ministri socialist dhe ekonomisti Arben Malaj ka reaguar pas rrëzimit nga pushteti pas 16 vitesh të Viktor Orban, duke i cilësuar zhvillimet në Hungari si një apel për qytetarët e Ballkanit, që të përballem me fenomenet e autokracisë dhe kapjes së shtetit.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Arben Malaj thekson se shprehja “shpresa vdes e fundit” merr një kuptim të ri pas rrëzimit të një sistemi të gjatë qeverisjeje.

Sipas Malajt, rrëzimi i Viktor Orban në Hungari dhe fitorja e Peter Magyar tregon se ndryshimi politik është i mundur kur qytetarët reagojnë ndaj korrupsionit

Teksa përmend Shqipërinë, Malaj apelon për angazhim që siç thotë ai “të mundim mbretërinë tonë kryeministrore, të lyrosur nga korrupsioni dhe kapja e shtetit”.

Analiza e plotë Arben Malajt

Popujt kanë një shprehje shpresë-dhënëse edhe në momentet me të errta të mbijetesës së tyre; “Shpresa Vdes e Fundit”

Apeli i Hungarisë për Zgjimin e Ballkanit

Popujt kanë të drejtë:

Shpresa vdes e fundit. Mundja e djeshme me shumicë dërrmuese e autokratit të fundit dhe aleatit të bindur kundër gjeopolitikës dhe gjeostratëgjisë evropiane, është një apel i fuqishëm inspirues për shqiptarët e shtypur dhe të nëpërkëmbur nga “mbretëria kryeministrore”!

Inspirimi hungarez duhet të zgjojë popujt e nënshtruar nga autokracitë në Ballkan.

Historia ka treguar se liria nuk është një dhuratë që jepet, por një e drejtë që rrëmbehet.

Sot, ndërsa shohim “mbretëritë presidenciale” dhe “sulltanatet kryeministrore” të lulëzojnë në zemër të Evropës,

modeli i qëndresës hungareze na shërben si një dritë shprese në errësirën e autokracisë.

Në vitin 1956, Hungaria i tregoi botës se asnjë tank dhe asnjë makineri propagandistike nuk mund ta mposhtë vullnetin e një populli që ka vendosur të jetë i lirë.

Sot, në vitin 2026, ky mësim është më i vlefshëm se kurrë.

Autokratët e sotëm nuk mbajnë kurora të dukshme, por sundojnë si mbretër mesjetarë pas fasadës së institucioneve demokratike.

Ata përdorin:

(i) Kapjen e Shtetit;

(ii) Shndërrimin e gjykatave

dhe policisë në “roje”

personale.

(iii) Kriminalizimin e Pushtetit:

Atëherë kur vullneti i popullit zëvendësohet me interesat e klaneve.

(iv) Propagandën e Frikës: Duke e shitur stabilitetin si zëvendësues për lirinë.

Fuqia e Pamposhtur e “Popullit të Heshtur”

Miti më i madh që autokratët mbjellin është se ata janë të pamposhtur.

Por, historia hungareze na mëson se fuqia e tyre është vetëm një iluzion që ushqehet nga pasiviteti ynë.

Do ta ritheksoj gjithnjë se:

“Nuk ka qeveri, sado e fortë apo e kriminalizuar,

që mund t’i mbijetojë ballafaqimit me një popull që ka humbur frikën.”

Kur qytetari i thjeshtë kupton se vota e tij nuk është thjesht një letër në kuti, por një “akt rebelimi” kunder mbreterive kryeministrore,

muret fillojnë të plasariten.

Modeli hungarez na kujton se revolucionet demokratizuese nuk nisin në pallatet qeveritare, por në kuzhinat e familjeve që nuk mbyllin dot muajin, në kafenetë ku flitet me zë të ulët dhe në mendjet e të rinjve që refuzojnë të emigrojnë.

Popujt e Ballkanit kanë vuajtur gjatë nën hijen e “burrave të fortë”.

Është koha të kuptojmë se këta autokratë nuk janë pasqyra e forcës sonë, por e dobësisë sonë të përkohshme.

Si ne Hungari duhet Bashkimi mbi Ndasitë:

Ashtu si në momentet kulminante të historisë hungareze,

Suksesi vjen vetëm kur qytetarët bashkohen përtej ideologjive kundër të keqes të përbashkët: Tiranisë.

Asnjë mbretëri presidenciale nuk mund të qëndrojë në këmbë nëse populli vendos të mos heshtë më.

Liria nuk është një destinacion, është një betejë e përditshme.

Nëse Hungaria mundi të sfidonte perandoritë,

Popujt e Ballkanit kanë të gjithë fuqinë për të çmontuar neodiktaturat e sotme.

Meazhi im qe ne hapat e para ne politike ne 1991 eshte dhe do te mbetet se: Kush shet votën, blen varfërinë!

Kush blen votën, thith edhe pikën e fundit të gjakut të të varfërve.

Me gjakun e votuesve të varfër, ata ushqejnë pangopësinë e tyre për pushtet dhe ushtrinë e patronazhistëve të kriminalizuar nga përfitimet materiale dhe promovimi në kurriz të më të arsimuarve.

Zgjidhni PËRHERË të jeni zotër të fatit tuaj!

Te fillojme të angazhohemi që ta mundim mbretërinë tonë kryeministrore,

të lyrosur nga korrupsioni dhe kapja e shtetit,

që në zgjedhjet për kryetarët e bashkive 2027!

Mirënjohje!

Të Ngjashme