Lajme

​Apeli ul dënimin për të akuzuarin për krime lufte nga 15 në 13 vjet burgim

Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit Zh.N., i shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile, duke ulur dënimin nga 15 në 13 vjet burgim. Vendimi vlen vetëm për lartësinë e dënimit, ndërsa pjesa tjetër e aktgjykimit është vërtetuar.

Sipas vendimit të Apelit, në dënimin prej 13 vjetësh do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 4 marsi 2024. Gjykata ka hedhur si të palejuar ankesën e përfaqësueses së palës së dëmtuar, ndërsa pjesërisht ka refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e mbrojtjes.

Në arsyetim, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë shkelje procedurale dhe ka vërtetuar drejt gjendjen faktike, duke administruar provat në mënyrë të rregullt. Ndryshimi i vetëm është bërë për dënimin, të cilin gjykata e konsideron proporcional me shkallën e fajësisë dhe rrethanat e rastit.

Njoftimi i plotë:

Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, në çështjen penale ndaj të akuzuarit Zh.N. për shkak të veprës penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile vetëm sa i përket lartësisë së dënimit, pjesa tjetër e aktgjykimit vërtetohet

Prishtinë, 18 mars 2026 –Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Zh.N dhe ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.71/2024 i datës 17.06.2025, përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin Zh.N për veprën penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) viteve, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 04.03.2024 e tutje. Ka hedhur si të palejuar ankesën e përfaqësueses së palës së dëmtuar, avokates M.S. Pjesën tjetër të aktgjykimit nuk e ka ndryshuar dhe në pjesën tjetër ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Zh.N, av.M.D., e ka refuzuar si të pabazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktgjykimin PS.nr.71/2024 të datës 17.06.2025, e ka shpallur fajtor të pandehurin Zh.N, për veprën penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, dhe e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) vite.

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale për shkak se dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, po ashtu i njëjti është në përputhshmëri të plotë me arsyetimin dhe përpilimi i dispozitivit është bërë konform dispozitave ligjore, ku janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat plotësohen të gjitha elementet e veprës penale për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor.

Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike, ngase nga shkresat e çështjes rezulton se e njëjta ka administruar provat në mënyrë të rregullt, i ka vlerësuar ato veç e veç dhe në ndërlidhje reciproke, po ashtu ka arritur në përfundime të arsyetuara, të cilat kjo kolegji gjykues i vlerëson si ligjërisht të bazuara, pra gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe plotësisht mbi bazën e provave të pranueshme.

Kolegji gjykues, po ashtu konstaton se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejt ligjin penal dhe se në rastin konkret janë vërtetuar të gjitha elementet përbërëse të veprës penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 i Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në lidhje me nenin 22 të këtij ligji.

Kolegji i kësaj gjykate, ka ndryshuar vendimin sa i përket vendimit mbi dënimin, ashtu që kolegji vlerëson se një dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vite është proporcional me shkallën e fajësisë së të pandehurit, me rrethanat konkrete të kryerjes së veprës penale dhe me nevojën për të shprehur dënimin shoqëror ndaj veprimeve që përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Të Ngjashme