Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

APK nuk gjen konflikt interesi te aplikimi i Zenelajt për prokuror në PSRK

 
   

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), me vendimin e datës 9 shtator 2025, ka lëshuar opinion përmes të cilit nuk ka gjetur se aplikimi i prokurorit Armend Zenelaj përbën konflikt interesi me rastin e aplikimit për pozitën e prokurorit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

“Konstatohet se nuk ka prova që argumentojnë dyshimin për ekzistimin e konfliktit të interesit në kuptim të dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, lidhur me zyrtarin e lartë publik, z. Armend Zenelaj, Prokuror i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë”, thuhet në opinionin e APK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zenelaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës më 19 maj 2025, e cila ishte pranuar më 12 qershor 2025.

Sipas vendimit të APK-së, thuhet se një raportues i jashtëm anonim ka paraqitur kërkesë për trajtimin e situatës së konfliktit të interesit në rastin e Zenelajt, ish-anëtar i KPK-së dhe ish-kryetar i Komisionit për Çështje Normative. Në këtë kërkesë specifikohej se KPK, më 8 gusht 2025, ka publikuar listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet për avancim në një pozitë pranë PSRK-së, ku në mesin e kandidatëve ishte edhe Zenelaj.

Në kërkesë pretendohej se, pasi kuptoi se ligji i ri për KPK parashihte kufizime për anëtarët pas përfundimit të mandatit, Zenelaj, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 23 prill 2025, për interesa personale ka hartuar rregulloren për avancim.

Gjithashtu, pretendohej se gjatë hartimit të kësaj rregulloreje, Zenelaj ka ndryshuar përbërjen e Komisionit për avancim dhe transfere, duke hequr një anëtar të Këshillit dhe duke vendosur si anëtar Kryeprokurorin e prokurorisë përkatëse ku shpallet konkursi.

Më tej, sipas opinionit, thuhet se Zenelaj, për t’u avancuar në PSRK, më 19 maj 2025 jep dorëheqje nga pozita e anëtarit të KPK-së dhe kryetar i Komisionit për Çështje Normative, dorëheqje e cila i aprovohet më 12 qershor 2025. Pas kësaj, KPK shpall konkursin më 26 qershor 2025 për një pozitë prokurori në PSRK.

Në kërkesë theksohej se Zenelaj, përveç që kishte marrë pjesë në votimin e kësaj rregulloreje, kishte qenë edhe hartues i saj dhe gjatë mandatit kishte ndërmarrë veprime për interesa personale, duke ndryshuar përbërjen e Komisionit për avancim dhe transferim.

Sipas nenit 7 të Ligjit për plotësim-ndryshimin e KPK-së, i përmendur në opinion, “deri në dy vite pas përfundimit të mandatit, anëtari i Këshillit nuk mund të përfitojë nga mundësitë e avancimit në sistemin prokurorial, të cilat janë krijuar si rezultat i vendimeve në të cilat ata kanë marrë pjesë si anëtarë të Këshillit”.

Për këtë kërkesë anonime, APK ka njoftuar KPK-në për inicimin e procedurës së shqyrtimit të mundësisë së konfliktit të interesit, duke kërkuar informata shtesë dhe dokumentacion relevant.

Në opinion thuhet se ndryshimi i rregullores për transferim dhe avancim është bërë me kërkesë të kryesuesit të KPK-së dhe se ky ndryshim ishte në kundërshtim me planin vjetor. Vetë Zenelaj ka sqaruar se pas afatit për dëgjim publik ishin marrë komente nga shoqëria civile dhe Zyra e BE-së, të cilat ishin përfshirë në rregullore.

Zenelaj ka deklaruar se ka të drejtë të aplikojë për këtë pozitë pas vlerësimit pozitiv për performancën e tij dhe se, sipas tij, nuk ka pasur ndikim në vendimmarrje për konkursin në PSRK.

Në konstatimet e opinionit të APK-së thuhet se pozita e prokurorit në PSRK nuk është pozitë udhëheqëse apo menaxheriale dhe, si e tillë, nuk mund të kuptohet në kuptimin e kufizimeve që mund të ketë një ish-anëtar i KPK-së.

APK ka theksuar se është kompetente për interpretimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, ndërsa ndalesat apo kufizimet e përcaktuara nga rregullativa e brendshme e KPK-së duhet të trajtohen nga vet KPK-ja.

“Ndërsa ndalesat apo kufizimet eventuale, të cilat përcaktohen me rregullativën e brendshme ligjore të KPK-së, duhet të trajtohen nga institucioni juaj”, thuhet në opinionin e APK-së.

Sipas Agjencisë, dispozitat ligjore të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nuk kanë për qëllim të kufizojnë apo pengojnë ushtrimin e funksioneve publike, por të parandalojnë shfrytëzimin e funksionit publik për interesa private, duke ruajtur kredibilitetin dhe imazhin e institucioneve publike.Ndryshe në mbledhjen e fundit të KPK-së numër 272 e mbajtur me 3 shtator 2025 ishte shtyër për votim raporti i Komsionit për Avancim dhe Transfer me qëllim që të pritet deri në lëshimin e opinionit nga APK.