Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie ndaj Igor Popoviqit, 6 muaj burgim zëvendësohet me 3 mijë euro gjobë dhe dëbim 2-vjeçar nga Kosova

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, sot (8 gusht) është mbajtur seanca dëgjimore ndaj Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, ku është aprovuar marrëveshja për pranim të fajësisë e arritur mes tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Popoviq është sjellë i prangosur në gjykatë dhe është paraqitur para gjyqtarit Kujtim Krasniqi dhe prokurores speciale Firkrije Zejnullahu. Me marrëveshjen e aprovuar, propozohet dënimi prej 6 muaj burgim, i cili zëvendësohet me 3 mijë euro gjobë, si dhe dënimi plotësues – dëbim nga territori i Republikës së Kosovës për një periudhë prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht prokurorja tha se marrëveshja është lidhur në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, se i akuzuari është konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësit e tij, dhe se kjo marrëveshje i përmbush të gjitha kriteret për t’u aprovuar nga gjykata.

Edhe tani vazhdoi avokati Millosh Deleviq, i cili tha se qëndron pranë marrëveshjes së arritur dhe se janë plotësuar kushtet sipas dispozitave ligjore.

Ai ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut. Ndaj tij, PSRK-ja më 5 gusht kishte ngritur aktakuzë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, për një fjalim kundër UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas PSRK-së, më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec, Popoviq me dashje dhe qëllim kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.

Po mbahet seanca ndaj Igor Popoviqit, i sjellë me pranga në Gjykatën e Prishtinës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, sot (e premte, 8 gusht) po mbahet seanca dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë të arritur mes të akuzuarit Igor Popoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, është sjellë i prangosur në gjykatë, ndërsa seanca ka filluar në orën 10:00 para gjykatës Kujtim Krasniqi.

Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut. Ndaj tij, PSRK-ja më 5 gusht ngriti aktakuzë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, për fjalimin kundër UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

PSRK-ja njoftoi se bashkë me aktakuzën është dorëzuar edhe marrëveshja për pranim fajësie. Sipas saj, Popoviq akuzohet se me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, më datë 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec.

Sipas aktakuzës së ngritur më 04.08.2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Igor Popoviq me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve entike, në atë mënyrë që i njëjti me datën18.07.2025, rreth orës 12:00 në Rahovec ka mbajtur një fjalim publik me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë të qytetarëve, ku mes tjerash ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse duke thënë “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpall okupator, ardhacak dhe t’i përzë nga këtu, nga UCK – organizatë terroriste” dhe se për shkak të kësaj ka vazhduar të bëjë thirrje në drejtim të qytetarëve si “neve na mbetet të jemi krenar me trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoca e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe, që këtu të ndërtohen shtëpi serbe dhe shkolla serbe, të lindin fëmijë serbë, të ekzistojnë institucionet serbe dhe kjo është detyrë e Zyrës për Kosovën e Metohinë dhe për Qeverinë e Serbisë” e të ngjashme, ashtu që ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mos tolerancën në disverisitetin e grupeve etnike që jetojnë në Kosovë si dhe ka cenuar bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve e për të cilin fjalimka qenë në dijeni se përcillet nga mediat dhe se në këtë mënyrë potencialisht ka mundur të prish rendin dhe qetësinë publike.

Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përcarjes dhe mosdurimi”nga neni 141 par.1 të KPRK-së.

Prokuroria kishte njoftuar njofton se i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

“Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, njofton PSRK. /Telegrafi