Lajme

Arben Fetoshi: 37 vjet nga suprimimi i autonomisë, strategjia serbe vazhdon

Arben Fetoshi, drejtor i Institutit OCTOPUS, ka thënë se 37 vjet më parë, suprimimi i autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989 nga Millosheviqi synoi serbizimin e vendit përmes dhunës dhe emigrimit të shqiptarëve.

Fetoshi shpjegon se rezistenca paqësore dhe më pas Ushtria Çlirimtare e Kosovës bllokuan këtë projekt, duke detyruar ndërhyrjen e NATO-s më 1999.

Megjithatë, strategjia e “viktimizimit” vazhdon sot nën agresionin hibrid të Vuçiqit, përmes propagandës dhe manipulimit të komunitetit serb.

Shkrimi i plotë:

Sot 37 vjet më parë Millosheviqi e kishte “formalizuar” planin për serbizimin e Kosovës. Suprimi i autonomisë më 23 mars 1989 ishte parapërgatitur përmes “viktimizimit” si strategji e Akademisë së Shkencave (1986), për ta legjitimuar dhunën si instrument “mbrojtës”. Shkalla e autonomisë politike nga Kushtetuta e vitit 1974 ishte pengesa juridike për mekanizmin e Millosheviqit: fillimisht narrativa e “viktimizimit” (Fushë Kosovë, 1987) dhe përdorimi i saj për të justifikuar suprimimin (The Guardian, 2019), në mënyrë që masat e jashtëzakonshme të nxisnin emigrimin e shqiptarëve (Human Rights Watch, 1990-1992) si metodë për realizimin gradual të spastrimit etnik.

Dëbimi nga vendet e punës, masat e dhunshme në arsim, media, administratë e polici, i paraprinë regjimit të frikës dhe nënshtrimit, duke kalkuluar shuarjen përfundimtare të rezistencës.

Mirëpo, premisën kushtetuese të kontrollit total dhe stabilitetit të imponuar si në Vojvodinë, Kosova e përktheu në mobilizim qytetar. Protestat dhe organizimi paralel i “Republikës së Kosovës” pas deklaratës së 2 korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, ishin përgjigjet e shqiptarëve për rezistencë paqësore, e cila me kalimin e viteve u dëshmua e pamjaftueshme përballë aparatit kriminal të Millosheviqit.

Ndërkohë, organizimi i rezistencës së armatosur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës rezultoi në faktor përcaktues që e bëri të pamundur projektin e serbizimit, duke i treguar botës vendosmërinë e palëkundur në rrugën e lirisë (Epopeja e UÇK-së). Pavarësisht organizimit sfidues dhe kushteve të vështirë, sakrifica sublime e luftëtarëve të UÇK-së imponoi ndërhyrjen ndërkombëtare (NATO, 1999) kundër projektit gjenocidal të Serbisë.

Objektivi final i projektit të Millosheviqit me suprimimin e autonomisë, u ekspozua brutalisht në vitin 1999 me Operacionin Patkoi (Under Orders: War Crimes in Kosovo, 2001). Terrorizimi, vrasjet, masakrat, dhunimet dhe deportimi i dhunshëm i mbi 900 mijë shqiptarëve drejt Shqipërisë e Maqedonisë, janë dokumentuar botërisht si një fushatë e organizuar nga nivelet më të larta serbo-jugosllave për spastrimin etnik të Kosovës.

Ndërhyrja e botës pas përpjekjeve të dështuara diplomatike e rrëzoi makinerinë ushtarake dhe policore serbe, por politika e saj ringjalli “viktimizimin” për rrethanat e reja. Pas humbjes ushtarake më 1999, Serbia vazhdoi agresionin hibrid, duke sofistikuar propagandën dhe mobilizuar struktura kriminale për ta sabotuar Kosovën. Trazirat e marsit 2004 i përdori si nyjen e rikthimit strategjik, duke fabrikuar viktimën e “pogromit”. Që nga ajo kohë, strategjia është rafinuar për agresion propagandistik (fushata dezinformimi, narrativa mashtruese për “diskriminim dhe terror ndaj serbëve”), instrumentalizim të komunitetit serb dhe shfrytëzim të dialogut të Brukselit si platformë ndërkombëtare kundër Republikës së Kosovës.

Pra, 23 marsi 1989 është premisa kushtetuese që ka dështuar me Millosheviqin, por e cila ende vazhdon të kërcënojë me stratgjinë hibride të Vuçiqit.

Të Ngjashme