Analisti Arben Fetoshi ka reaguar ndaj raportimeve të mediave serbe lidhur me diskutimet për rikonfigurimin e NATO-s, të përmendura nga Politico më 19 shkurt 2026.
Sipas tij, raportimet për mbylljen e misionit në Irak dhe diskutimet e hershme për reduktimin e pranisë në Kosovë janë paraqitur në mënyrë manipuluese si “tërheqje amerikane” dhe “mbyllje e KFOR-it”.
Fetoshi thekson se kjo përbën një rikornizim strategjik të agjendës, me narrativa alarmuese për sigurinë e serbëve në Kosovë.
Ai vlerëson se mediat serbe po përdorin korniza triumfaliste dhe viktimizuese për të ndërtuar perceptimin e një Perëndimi të dobësuar dhe për të legjitimuar qëndrime politike të Aleksandar Vučić, i cili së fundmi e ka cilësuar marrëveshjen ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si “kërcënim të madh” për Serbinë.
Shkrimi i plotë:
KOSOVA DHE NATO 3.0 (Kornizimi manipulativ në mediat serbe) Përpjekjet transatlantike për një “partneritet të ri” me përgjegjësi më të madhe europiane, të raportuara nga Politico (19 shkurt 2026) si presion i SHBA-së për një “rikonfigurim të madh” të NATO-s, pësuan sërish “rikornizim të agjendës” në mediat serbe.
Derisa katër diplomatët, të cilëve Politico u kishtë dhënë “anonimitet për shkak të ndjeshmërisë”, pohonin mbylljen e misionit në Irak deri në shtator 2026 dhe “diskutimet në fazë të hershme” për reduktim të misionit në Kosovë, mediat serbe e trajtuan atë si “tërheqje amerikane” dhe “mbyllje të KFOR-it”.
Ngjashëm me raportimin selektiv para një viti (19 shkurt 2025) pas artikullit të Bild, por tani duke “alarmuar” për fatin e qytetarëve serbë në Kosovë.
Narrativa “triumfaliste” mbi ridislokimin e trupave amerikane si “tërheqje”, që synonte përceptimin e Perëndimit të dështuar dhe të Serbisë si aktor me peshë gjeopolitike në rajon, saktësisht pas një viti u kthye në narrativë viktimizuese për shkak të “terrorit” të Kosovës, duke kalkuluar mobilizimin dhe “legjitimimin” e ndërhyrjes për mbrojtje.
Kornizimi i “tërheqjes” së KFOR-it si rrezik për sigurinë e serbëve dhe analizat e ndryshme mbi skenarë potencialë të tërheqjes apo zvogëlimit në raport me sigurinë e komunitetit serb, janë kornizat dominante mbi këtë temë, me parashikime spekulative, nxitje emocionale dhe tonalitet alarmues.
S’ka rëndësi çfarë iu thoshte Komandanti i KFOR-it me “gatishmërinë kundër çfarëdo eskalimi” dhe “mbështetjen për dialogun si kornizë të zgjidhjes” (Kosovo Online, 4 shkurt 2026), s’ka rëndësi konteksti ndërkombëtar me tensionet gjeopolitike si shkak i debateve për “rikonfigurimin” dhe as konfirmimi i Kosovës si partnere e rëndësishme në kuadër të Bordit të Paqes, me FSK-në në misionin për Gazën. Për propagandën serbe, faktet mund të deformohen sipas nevojave të kornizimit strategjik.
Kjo është qasja e duhur për zgjatimin e “alarmit” të Vuçiqit mbi Marrëveshjen Ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë” si “kërcënimi më i madh” për Serbinë (15.02.2026). Pas fushatave demonizuese për NATO-n si agresore dhe pas fajësimit të KFOR-it për tolerimin e “diskriminimit” të serbëve, ato tani duhet ta ushqejnë “rrezikun” nga reduktimi eventual i misionit, jo sepse e kanë ndryshuar qasjen, por sepse e dinë që një gjë e tillë bart mesazhin e “zgjidhjes” përfundimtare për Kosovën si shtet i pavarur dhe si faktor stabiliteti në Ballkan.
Pavarësisht se çfarë trajte mund të marrë në të ardhmen koncepti i nënsekretarit Colby (NATO 3.0) për transformimin e aleancës pas vitit 2022, një gjë mbetet e sigurt: “rikonfigurimi i madh” nënkupton synimet për zgjidhje efikase që garantojnë interesat transatlantike mbi sigurinë, lirinë dhe demokracinë në botë.
