Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se Kuvendi i së enjtes është një moment vendimtar për të ardhmen e partisë dhe drejtimin që ajo do t’i ofrojë Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Gashi theksoi se LDK-ja duhet të përcaktojë qartë identitetin e saj, duke ndërtuar një parti me lidership të fortë, vlera të qarta dhe vizion për të ardhmen.
Sipas tij, vendimet që do të merren në Kuvend do të ndikojnë jo vetëm në të ardhmen e LDK-së, por edhe në mënyrën se si ajo do t’u shërbejë qytetarëve dhe do të rikthejë besimin e tyre.
Postimi i plotë:
Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në.
Të enjten, në ora 18:00, Kuvendi i LDK-së nuk është thjesht një mbledhje statutare. Është momenti kur vendoset drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e bashkë me të edhe drejtimi që mund t’i ofrojmë Kosovës në vitet që vijnë.
Ky është çasti kur duhet të mbizotërojnë arsyeja mbi emocionin, ideali mbi interesin e ngushtë dhe vizioni mbi kalkulimet afatshkurtra. Këtu vendosen themelet e LDK-së së së ardhmes: një LDK me identitet të qartë, me lidership të fortë, me vlera të palëkundura dhe me guxim për të udhëhequr.
Vendimet që merren të enjten nuk janë vetëm për sot. Ato do të përcaktojnë mënyrën se si do ta bëjmë politikën, si do t’u shërbejmë qytetarëve dhe si do ta ndërtojmë besimin e ri te LDK-ja.
Kosova ka nevojë për një LDK të fortë. Dhe një LDK e fortë fillon me vendime të drejta, të mençura dhe largpamëse.
E ardhmja nuk pret. Është koha ta ndërtojmë.
