Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), organizata që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.
Këtë e ka komentuar analisti Ben Andoni, në një intervistë për Euronews Albania, ku tha se armatimi në Kosovë është i frikshëm.
Më tej ai theksoi se serbët kanë prishur marrëveshjen e Kumanovës.
“Armatimi që është në Kosovë është i frikshëm. Që pas marrëveshjes së Kumanovës serbët duhet të ishin të çarmatosur nga kufiri ynë dhe 25 km në armatimin e rëndë. Serbët e kanë thyer marrëveshjen e Kumanovës. Për mendimin tim dy organizatat sidomos Brigada serbe janë shumë problematik, e para në presionin shumë të madh që i kanë bërë publike. Ata janë më shumë problem për serbët në Kosovë se për shqiptarët”– tha ai.