Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Arrestime masive – Çfarë efekti prodhon shpallja terroriste e dy organizatave serbe?

Qeveria e Kosovës ka shpallur të enjten organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në veri të Kosovës.

Pjesëtarët e këtyre dy grupeve duhet të arrestohen, sipas njohësve të ligjit.

Juristët janë të mendimit se “secili person që i ka përkrahur këto grupe, apo i ka shpërndarë në rrjete sociale përmbajtjet e tyre” duhet të vihet para drejtësisë.

Dy organizatat numërojnë deri në 1000 pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb. Në jo pak raste, ato janë përkrahur edhe nga banorë serbë të veriut të Kosovës.

Skënder Musa, avokat kosovar, tha se “Mbrojtja Civile” edhe “Brigada e Veriut”, janë organizata të sigurisë që veprojnë paligjshëm në Kosovë. Ai hodhi dyshimet se duke qenë si të tilla, ato mund të financohen nga Serbia.

“Në këtë drejtim konsideroj se janë institucionet e Kosovës ato që duhet të merren me hetimin e tyre, Prokuroria Speciale, departamenti për krim të organizuar dhe krime të rënda në kuadër të policisë së Kosovës”, tha Musa të enjten.

Anëtarët dhe aktivistët e saj që ushtrojnë veprimtari të paligjshme në Republikën e Kosovës, duhet të hetohen thotë ai, pastaj edhe si grup dhe strukturë kriminale e organizuar.

Këto organizata sipas Musës, nuk do të lejoheshin për funksionim në asnjë shtet. Ai pati edhe një kërkesë karshi ndërkombëtarëve për këto ngjarje.

“Në këtë aspekt konsideroj se bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtroj presion të jashtëzakonshëm mbi republikën e Serbisë, që të mos financojë struktura paralele dhe struktura që në fakt mund të marrin aksione të ndryshme, qoftë sulme ndaj policisë së Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in”.

Padyshim që këto struktura duhet të zhbëhen, vijoi Musa. Ai shprehet se Serbia e ka shkelur marrëveshjen për integrimin e serbëve “që kanë qenë në kuadër të rojës së urës në institucione të sigurisë së Kosovës”.

“Nuk duhet harruar faktin se  edhe policët e Kosovës të komunitetit serb që kanë lëshu bombat në pjesën veriore, e kanë bërë nga presioni i madh që ka ushtruar Serbia”, u shpreh ai.

Musa thotë se Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare sa i përket hapave që kanë të bëjnë me çështjet politiko-juridike.

“Mirëpo në asnjë formë qeveria nuk munet me lëshu pe në dëm të zbatimit të ligjit kur është në pyetje siguria e qytetarëve, siguria e institucioneve të Kosovës, siguria e institucioneve ndërkombëtare, që  në këtë rast me këto dy struktura rrezikohen të gjitha”.

“Sa i përket Brigadës së Veriut pa asnjë dyshim është organizatë terrorise sepse emri brigad përfshin ushtri dhe mund të jetë ndonjë organizatë tërroriste. Sa i përket Mbrojtjes Civile nuk mund të them tash për tash se është një organizatë terroriste  por vetë fakti që funksionon në kundërshtim me rendin kushtetues, funksionon si mekanizëm I një shteti tjetër të rep e kosovës ka elemente të terrorizmit”, shtoi ai.

“Megjithatë qeveria duhet të analizojë  dhe të koordinohet edhe me strukturën ndërkombëtare para se të marr ndonjë hap, sepse nocioni i terrorizmit është jashtëzakonisht i gjerë”.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se vendimi i sotëm i ekzekutivit nuk prek askënd që deri në momentin e shpalljes organizata terroriste, ka qenë pjesëtar i këtyre dy organizatave dhe nuk ka kryer vepra penale.

Po ashtu, organizata “Brigada e Veriut” ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës përmes një postimi në aplikacionin Telegram.

Aty u tha se “Brigada e Veriut” është formuar një vit më parë dhe se pjesëtarët e saj janë “vullnetarë që ndihmojnë serbët dhe popullin serb, të gatshëm të mbrojmë popullin dhe shtetin tonë”.

Kjo organizatë tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk do t’i ndalojë ata të luftojnë “për Serbinë dhe unitetin”, por për arsye të sigurisë më nuk do të njoftojnë publikisht për lëvizjet e tyre.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim.

Ndërsa, për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim. Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burgim, njëjtë siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste.

Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet.