Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Arrestimi i çiftit për spiunazh në Kosovë, Islami: Lista Serbe e rrezikshme për sigurinë kombëtare të vendit

 
   

Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami thekson rrezikshmërinë e Listës Serbe për sigurinë kombëtare të vendit, derisa flet për arrestimin e pilotit kroat dhe të dashurës së tij serbe nga Kosova, të cilët dyshohen për spiunazh.

Ata janë lënë në paraburgim pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Split, ku piloti kroat derisa ka shërbyer edhe në KFOR, dyshohet se i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka dhënë ato Listës Serbe.

Islami thotë se piloti kroat është shfrytëzuar siç potencon ai nga spiunia e infiltruar e BIA-s, e cila dyshohet se i ka dhënë informacione Listës Serbe për lëvizjet e trupave të KFOR-it në Kosovë.

Sipas profesorit të çështjeve të sigurisë, Avni Islami, Lista Serbe është krah politik i terrorizmit të grupeve kriminale në Kosovës, e cila siç thotë ai direktivat i merr nga qeveria e Beogradit.

“Nuk është hera e parë që target i spiunazhit janë pjesëtarët e EULEX-it dhe të KFOR-it, në përgjithësi institucionet ndërkombëtare të cilat vepruar në Kosovë, e që kur dihet se ato kanë imunitet në raport me institucionet e sigurisë së Kosovës dhe AKI-së. Në rastin konkret, pas skandalit që është zbuluar në Split një pilot kroat, i cili ka vepruar në Kosovë. Atë e ka shfrytëzuar një spiune e infiltruar e BIA-s serbe nën petkun e gazetarisë dhe e kanë bartur informacione lidhur me pozicionin e KFOR-it, EULEX-it dhe të tjerëve në Kosovë. Dhe informacionet e tilla dyshohet se ia përcjellë Listës Srbska. Lista Srbska nuk ka dilemë që është krah politik i terrorizmit të grupeve kriminale në Kosovë. Kjo tregon se sa e rrezikshme Lista Srbska për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe çka punon Lista Srbska…Të gjitha direktivat i merr nga qeveria e Beogradit, më konkretisht nga Aleksandër Vuçiqi”, tha Islami.

Ndër të tjera, Islami potencon se përveç këtij rasti, ka edhe shumë të tjerë që sipas tij bashkëpunojnë me serbët lokalë duke dërguar informacione në dëm të sigurisë kombëtare të Kosovës.

“Ky nuk mund të jetë një rast i izoluar sepse edhe një polic më parë është identifikuar dhe zbuluar nga institucionet e sigurisë së Kosovës nga AKI-ja së bashku me Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës. Mendoj se ka shumë raste të tjera që janë duke bashkëpunuar serbët lokal dhe të tjerët, që unë dyshoj se mund të ketë edhe nga shqiptarët ku dërgojnë informacione të klasifikuar në dëm të sigurisë kombëtare të Kosovës”, shprehet Islami.

Sipas raportimeve të medias kroate “Index” nga një muaj paraburgim u është vendosur pilotit kroat dhe të dashurës së tij, serbe nga Kosova, për dyshimet për spiunazh.

Ata janë lënë në paraburgim për shkak të mundësisë së ndikimit mbi dëshmitarë dhe rrezikut të shkatërrimit të provave, thuhet në vendimin e masës së gjykatës. Serbja e dyshuar është lënë në mbajtje për shkak edhe të rrezikut për arrati meqë në Kroaci është shtetase e huaj.

Dyshohet se nga viti 2022 deri në vitin 2025, piloti ushtarak i dha partneres së tij informacion konfidencial në lidhje me lëvizjen e serbëve në veri të Kosovës, trupat e KFOR-it dhe situatën në Zubin Potok. Këto informacione ishin në dispozicion të tij që kur ai ishte në misionin e KFOR-it.

Ata akuzohen gjithashtu për shkëmbim informacioni në lidhje me transportin e ish-policit të arrestuar të Kosovës, Dejan Pantic, arrestimi i të cilit në dhjetor 2022 shkaktoi protesta dhe barrikada.

Për këtë rast, ka reaguar edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa. Ai ka shkruar se arrestimi i një piloti kroat që punonte në kuadër të KFOR-it, bashkë me të dashurën e tij, është një sinjal serioz.

Ai tha se institucionet e sigurisë dhe inteligjenca duhet të jenë vigjilente.

Sipas Mustafes prej kohësh dihet qartë se Lista Serbe është kamufluar nën petkun e politikës, por në fakt siç tha ai ka funksionuar si qendër e inteligjencës serbe në Kosovë.