
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me arrestimin e disa personave të dyshuar për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA).
Kurti përmesi një Facebook tha se këto arrestime janë rezultat i operacioneve të suksesshme të AKI me Policinë dhe Prokurorinë.
Sipas tij, këto janë sinjale që tregojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, derisa tregoi se çka përfshijnë ato.
Ndër të tjera, Kurti kishte edhe një thirrje për qytetarët.
“Ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar në përpjekjet për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo forme kërcënimi. Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare”, shkroi kryeministri në detyrë, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti (tre shqiptarë dhe dy serbë), është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.
Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë.
Rastet përfshijnë: përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit. Njëri nga të dyshuarit (A.V.), pas përballjes me dëshmitë, tashmë ka pranuar fajësinë.
AKI, në bashkëpunim me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm, aftësi të avancuara analitike e operative në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues.
Ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar në përpjekjet për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo forme kërcënimi. Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare.