Lajme

Arrestohet zyrtari korrektues, dyshohet për futje të drogës në QK Dubravë

 
   

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka pezulluar nga detyra një zyrtar korrektues, i cili dyshohet se ka tentuar të fusë kontrabandë brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës.

Rasti është parandaluar sot, pas informacioneve të pranuara nga institucionet e sigurisë. Gjatë një kontrolli të planifikuar në hyrje të institucionit, është ndaluar zyrtari korrektues me inicialet S.D.

Gjatë kontrollit, te zyrtari korrektues janë gjetur të fshehura substanca të dyshuara narkotike, për të cilat dyshohet se kishte për qëllim t’i fuste brenda institucionit”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Për rastin janë njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit. I dyshuari është arrestuar, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente. SHKK-ja njofton se ka ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj zyrtarit në fjalë, duke e suspenduar atë nga detyra.

“Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së dhe masa mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër”, thuhet më tej në njoftim.

Shërbimi Korrektues i Kosovës thekson se mbetet i përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive të tilla negative dhe se do të veprojë në përputhje me ligjin ndaj çdo individi të përfshirë.

“Nuk do të tolerohet asnjë rrezikim i sigurisë dhe integritetit të institucioneve korrektuese”, përfundon njoftimi i SHKK-së. 

 
 
 
 

 

Të Ngjashme