
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se kreu i shtetit serb ka shkuar në Moskë për shumë arsye.
Sipas tij, ai shkoi edhe në shenjë hakmarrjeje për atë që i ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po merr pjesë në manifestimet propagandistike të Moskës me rastin e 80-vjetorit të fitores mbi fashizmin. Dihet se ky manifestim është një maskë e veprimeve të “Hitlerit të Shekullit XXI”, Vladimir Putin. Presidenti i Rusisë i zhvillon këto manifestime si fitues në Luftën e Dytë Botërore, sepse me këtë dëshiron të arrijë dy objektiva:
Së pari, të thotë se Europa dhe zemra e saj, Gjermania, është fajtore për gjithçka – jo vetëm në Luftën e Dytë Botërore, por edhe sot.
Së dyti, të japë mesazhin se ai, pra Putin, nuk është si Hitleri, por është fituesi dhe paqebërësi i kohës së sotme.
Intriga e Putinit nuk ecën. Por ajo që e implikon në këtë intrigë Aleksandër Vuçiq ka të bëjë me faktin se edhe presidenti i Serbisë ndjek modelin e presidentit të Rusisë. Kreu i shtetit serb është sot në Moskë për shumë arsye:
Së pari, për të dëshmuar edhe njëherë aleancën tradicionale me Rusinë.
Së dyti, për të dhënë mesazhin se “lufta kundër Kosovës dhe për Kosovën bazohet në parimet e fitores mbi fashizmin”.
Së treti, për të zhvleftësuar masakrat dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë, gjithnjë sipas modelit të nazizmit dhe fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
Për këto arsye, Aleksandër Vuçiq ndodhet në Moskë dhe u prit me ceremoni madhështore nga autoritetet e Kremlinit. Ai shkoi në Moskë edhe në shenjë hakmarrjeje për atë që i ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaron Bytyçi.
Me aktin e shkuarjes në Moskë, sipas Bytyçit, Vuçiq e ka dhënë definicionin se për Serbinë Evropa është larg, shumë larg pikëpamjeve politike, strategjike dhe gjeopolitike.
“Ndërkohë, Bashkimi Europian ka paralajmëruar pasoja nëse Vuçiq do të merrte pjesë në këto manifestime në Moskë. Ky i fundit tha: “Po, unë erdha te Vladimir Putin, por shpresoj që BE të më ndëshkojë mua dhe jo popullin e vendin tim”, pra Serbinë. Këto qëndrime janë manipulime në stilin e tij të përhershëm. Pohimet e Vuçiq janë krejt të lexueshme. Ato synojnë ta mbajnë Serbinë në dy karrige: edhe me Europën, edhe me armikun e betuar të saj – Rusinë.
Të mbash këtë lloj qëndrimi, sidomos sot, kur Europa kërcënohet dhe përgatitet me të gjitha forcat për t’u përballur me një agresion nga Rusia e Putinit, është më shumë sesa cinizëm. Për mua, Aleksandër Vuçiq ka zgjedhur Moskën në vend të Perëndimit. Sepse ai është në kërkim të një kashte për t’i shpëtuar mbytjes në ujërat e qelbëta të nazi-fashizmit të shekullit tonë.
Me aktin që presidenti i Serbisë kreu – me pjesëmarrjen e tij në manifestimet në Sheshin e Kuq të Moskës për të dëshmuar anti-europianizmin e tij – ka dhënë definicionin se për Serbinë, Europa është larg, shumë larg, gjithnjë në pikëpamje politike, strategjike dhe gjeopolitike. Prandaj dhe pritet që Serbia të përballet me sanksione europiane, si dhe me goditje të reja politike nga ana e Uashingtonit”, thekson profesori.
Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment, thotë Bytyçi dhe të kërkojë e të këmbëngulë që asaj t’i hiqen sanksionet e padrejta.
“Po ndodh ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht: se “Serbia nuk mund të bëhet aleat i Perëndimit”, por mbetet e do të mbetet për një kohë të gjatë aleat i Rusisë; se “Përkëdhelja nuk e kthen Serbinë në gjirin e aleancave euro-atlantike”, e të tjera si këto. Nuk ka shans, derisa Vuçiq shkoi të marrë gjithashtu bekimin e kryepeshkopit të Rusisë në misionin e tij anti-perëndimor. Ndaj, ky moment duhet shfrytëzuar. Kosova duhet të kërkojë dhe të këmbëngulë që asaj t’i hiqen sanksionet e padrejta. Emmanuel Macron duhet të pyetet: “Ti që na vure sanksione, inkurajove kreun e shtetit serb dhe vetë Serbinë të forcojë lidhjet me armikun tënd e të Europës – Rusinë!” Mbajtja e Kosovës euro-atlantike nën sanksione është një precedent shumë i rrezikshëm. Nuk merret vesh kush është aleati i Europës dhe kush aleati i Rusisë – Kosova apo Serbia?! Është një turp i madh për Brukselin që penalizon aleatin e tij besnik, Kosovën e lirë e të pavarur, dhe ndihmon me sanksionet e veta aleatin e Rusisë – Serbinë e Aleksandër Vuçiq. Është turp i madh për vendet europiane që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilat thonë se “kanë frikë nga Rusia” dhe bëjnë të njëjtën politikë si Moska, me mosnjohjen e Kosovës si shtet! Kur presidenti Bush pati shpallur se Kosova është e pavarur më 10 qershor 2007 në prani të kryeministrit të Shqipërisë, udhëheqësit e Europës ende nuk ishin dakord për këtë pavarësi. Asokohe, shtypi gjerman shkruante për atë që “Amerika natyrshëm është pranë Kosovës, ndërkohë që Europa duhej të ishte pranë saj”. Ende edhe sot vazhdojnë politikat europiane të përçmimit ndaj lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ndryshe, nuk kishte pse të viheshin sanksione, dhe akoma më keq, nuk ka asnjë arsye pse të mbahen ato. Gjithçka u sajua nga miqtë e aleatit të Vladimir Putinit – pra të Aleksandër Vuçiq. Kjo duhej të kishte marrë fund me kohë”, përfundon Bytyçi.