Lajme

Arsyetimi i Osmanit për “nxitimin” e dekretit – Njohësit paralajmërojnë: Gabime të tilla lënë pasoja të mëdha!

Dekreti i fundit i presidentes Vjosa Osmani që iu drejtua Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur debat të gjerë në skenën politike të Kosovës. 

Vendimi i saj është parë nga disa si i nxituar dhe ka ngritur pyetje rreth mënyrës së menaxhimit të pushtetit presidencial.

Presidentja Osmani ka mbrojtur vendimin duke theksuar se gabimet janë të natyrshme dhe se ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese është pikërisht për të rregulluar çështjet e kontestuara ligjore. 

Megjithatë, mënyra se si ajo e ka bërë shpalljen e dekretit dhe arsyetimi i saj janë vlerësuar nga disa si të nxituar, duke lënë hapësirë për kritikë dhe interpretim politik.

E gjatë mbrëmjes së hëne, Osmani ka qenë në një intervistë për të folur rreth zhvillimeve të fundit.

Derisa po flet për dekretin që iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, presidentja Vjosa Osmani tha se “nuk është pejgamber të mos bëj gabime”.

“Unë nuk jam Pejgamber që të mos bëj asnjëherë në jetë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese”,tha Osmani.

“Edhe për president paraprak edhe për kuvend edhe për këtë kryeministër, ka dhjetëra herë që e kanë shkelur Kushtetutën. Përderisa unë jam e bindur vetëm duke u bazuar në interesin publik e kam marrë këtë vendim”, shtoi ajo për dekretin e nxjerrë nga ajo.

Maloku: Gabimet e përsëritura dhe qasja problematike ndaj pushtetit

Image
Albinot Maloku

Politologu Albinot Maloku në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për këtë temë.

Ai thotë se, edhe pse Vjosa Osmani mund të gabojë si çdo njeri, roli i saj si juriste dhe presidente e kërkon një përgjegjësi të lartë dhe respekt të pandërprerë për rendin kushtetues.

Maloku nënvizon se, gabimet e saj nuk mund të justifikohen thjesht si “gabime njerëzore” për shkak të pozicionit dhe përgjegjësisë që ka.

“Vjosa Osmani Sadriu është njeri dhe, si secili, mund të bëjë gabime, kjo është e padiskutueshme. Por ajo nuk është thjesht një qytetare e zakonshme; është juriste, pedagoge dhe ligjëruese e së drejtës, ligjvënëse me përvojë dhe shefe e shtetit. Pikërisht për këtë arsye, prej saj pritet jo vetëm njohje teorike e rendit kushtetues, por edhe përgjegjësi e lartë në respektimin dhe mbrojtjen e tij. Kur një profesioniste e së drejtës ndërmerr veprime që mund të vënë në pikëpyetje rendin kushtetues, atëherë nuk mund të fshihet pas justifikimit të “gabimit njerëzor” dhe se nuk na qenka profet”, foli ai.

Duke vazhduar bisedën politologu shton që gabimet e përsëritura të Vjosa Osmanit tregojnë një qasje problematike ndaj pushtetit dhe përgjegjësisë institucionale, duke e portretizuar atë si një figurë politike impulsive dhe me gjuhë ofenduese. 

Ai thekson se kjo sjellje është bërë pjesë e dallueshme e profilit të saj politik gjatë viteve.

“Gabimet njerëzore mund të ndodhin, por kur ato përsëriten dhe bëhen model sjelljeje, atëherë kemi të bëjmë me diçka më shumë se një gabim, kemi të bëjmë me një qasje problematike ndaj pushtetit dhe përgjegjësisë institucionale. Në këtë kontekst, portretizimi i angazhimit të saj politik vështirë se mund të bëhet ndryshe nga ajo që është parë ndër vite: një kombinim i impulsivitetit, kalkulimeve politike dhe një gjuhe ofenduese. Këto tipare, fatkeqësisht, janë bërë pjesë e dallueshme e portretit të saj politik”, foli politologu Maloku për “Bota sot”.

Cela: Detyrë urgjente ngelet që Vjosa dhe Albini të ulen në një zyrë dhe të gjejnë një zgjidhje të mirë dhe të qëllueshme

Image
Ylli Cela

Ndërsa, në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur edhe njohësi për çështje politike, Ylli Cela.

Ai thotë se gabimet janë të natyrshme edhe për politikanët, por kjo nuk e zvogëlon kontributin dhe përkushtimin e Vjosa Osmanit gjatë pesë viteve të saj si presidente.

“Në politikë secili mund të gabojë, sepse edhe kompjuterat e fundit, që janë fjala e fundit e shkencës, gabojnë. Sepse në jetë asgjë nuk është perfekte, gjithçka është relative. Këtë e dinë ose duhet ta dinë të gjithë politikanët. Pra, ky është citati që duhet të drejtojë një politikan. A gaboi Vjosa? Po, gaboi. Vjosa gaboi, por ç’të bëjmë? Por ku gaboi Vjosa? Vjosa gaboi vetëm atëhere kur e pa se nuk mundi të jetë kandidate potenciale për presidente.

Sepse për hir të së vërtetës dhe për të qënë transparente, gjatë këtyre pesë viteve të mandatit të saj, Vjosa ka qenë thuajse e perfekte në politikë. Asnjë presidente më parë nuk ka drejtuar dhe s’ka qenë aq aktive dhe aq e mençur sa Vjosa Osmani”, u shpreh ai.

Tutje, njohësi potencon se nuk duhet të kritikojmë apo shajmë politikanët për gabimet e tyre, sepse të gjithë njerëzit gabojnë, edhe ata që kanë kontribuar për shtetin dhe kombin. 

Ai thekson se mësimi nga gabimet dhe mbështetja e liderëve me përkushtim është më e rëndësishme sesa mendjemadhësia dhe kritika e nxituar që ka penguar zhvillimin e shtetit për shekuj.

“Unë besoj që ne nuk e kemi luksin që të ‘‘masakrojmë’ një politikane të shkëlqyer. Duhet të dimë një gjë: ne shqiptarët kemi gabuar gjysmën në zgjedhjen e presidentëve.  Por pse duhet ta qortojmë Vjosa Osmanin? Kaq shpejt i harohet njohja e reja e Kosovës? Kaq shpejt i harohet takimi me Trumpin, i cili na dha sigurinë kombëtare të Kosovës? Po këto nuk janë gjëra të vogla, këto janë gjëra që e forcojnë çdo shtet në botë dhe nuk mund të mos i vlerësojmë. Neve na i bëri realitet Vjosa Osmani. Por neve nuk e shanim Albin Kurtin kur shkroi për Kishët e Deçanit. Nga halli apo nga malli, nuk e dimë, por gaboi. Dhe përsëri e duam dhe e mbështesim me tërë fuqinë Albin Kurtin, sepse njeriu gjatë rrugës së vet edhe gabon. Por e rëndësishme është ta kuptojmë ku ka gabuar dhe të vazhdojë të luftojë me forcë.

Një gjë ndodhi edhe me Thaçin. Ai ka bërë jo një por disa gabime si president. Të gjithë njerëzit gabojnë.  Prandaj ne vuajmë nga sindroma e madhe e mendjemadhësisë që kur dikush gabon, e urrejmë e shajmë, harrojmë që edhe vetë gabojmë. Kjo na ka penguar të bëjmë shtet për 2000 vite, sepse gjithmonë kemi luftuar mikun, vëllain, shokun, vetëm e vetëm që të jemi ne në krye të karrierës”, shpjegoi Cela.

Në fund, ai shton se Vjosa Osmani duhet të kërkojë falje për gabimin e saj dhe së bashku me Albin Kurtin të gjejnë një zgjidhje që siguron stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës.

“Por çka është ajo që mendoj? Si dalim nga ky gabim? Vetëm me një mënyrë: Vjosa Osmani të ulet në mënyrë figurative në gjunjë Albin Kurtit dhe të kërkojë falje publike, kombëtare, për gabimin e nxituar të saj për shpalljen e dekretit të zgjedhjeve. Le të ta pranojë që ky ishte një moment nervozizmi dhe jo ftohtësie.

Detyrë urgjente ngelet që Vjosa dhe Albini të ulen në një zyrë dhe të gjejnë një zgjidhje të mirë dhe të qëllueshme që Kosova të vazhdojë rrugën e integritetit, prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik”, përfundoi Cela për “Bota sot”.

Të Ngjashme