Lajme

ASHAK-u gëzohet për lajmin se ish-kryetarja u bë presidente: Ky është një nderim i veçantë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, kanë mbajtur konferencën ndërkombëtare “Twin Transformation: Reconceptualizing Organizations and Ecosystems”, ku u diskutua për transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër, inovacionin dhe zhvillimin e ekosistemeve sipërmarrëse, raporton Ekonomia Online.

Në hapje të konferencës, nënkryetari i ASHAK-së, Fejzullah Krasniqi, ka vlerësuar kontributin e Presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila deri së fundmi ka drejtuar Akademinë.

“Përshëndetja e kësaj konference ishte paraparë të bëhej nga kryetarja e deritanishme, Akademike Justina Shiroka-Pula, e cila para 2 ditësh është propozuar dhe për fat është zgjedhur presidente e Kosovës. Ky është një nderim i veçantë jo vetëm për Akademiken Justina Shiroka-Pula, por edhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku ajo, në pozitën e kryetares, është angazhuar me shumë përkushtim”, tha ai.

Krasniqi tha se tema e konferencës është aktuale dhe me rëndësi për kërkimin shkencor, studimin ekonomik dhe transformimin e organizatave bashkëkohore.

“Tema e kësaj konference është veçanërisht aktuale dhe me rëndësi të shumëfishtë. Për kërkimin shkencor, studimin ekonomik dhe transformimin e organizatave bashkëkohore. Transformimi digjital dhe tranzicioni i gjelbër po zhvillohen gjithnjë e më shumë si procese të ndërlidhura, të cilat ndikojnë në mënyrën se si organizatat, institucionet dhe ekosistemet ekonomike e sipërmarrëse konceptohen, organizohen dhe zhvillohen”, tha ai.

Ai theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike, kërkimore dhe sektorit privat.

“Në këtë kuadër, kërkimi shkencor dhe inovacioni marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Zhvillimet në inteligjencën artificiale dhe transformimin digjital në sipërmarrje dhe ekonomi, në tranzicionin e gjelbër, si dhe në zhvillimin e ekosistemeve sipërmarrëse kërkojnë qasje të reja shkencore, bashkëpunim ndërdisiplinar dhe ndërinstitucional, si dhe lidhje më të fuqishme ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore, sektorit të biznesit dhe aktorëve të tjerë të zhvillimit. Programi i konferencës është konceptuar në atë mënyrë që pasqyron qartë këtë gjerësi tematike dhe ndërdisiplinare. Përmes prezantimeve dhe diskutimeve profesionale, konferenca do të krijojë një hapësirë të rëndësishme për paraqitjen e rezultateve shkencore, për shkëmbimin e ideve dhe për diskutimin kritik të sfidave të shoqërisë”, tha ai.

Ndërkaq, profesori i Fakultetit Ekonomik, Besnik Krasniqi, ka folur për ndikimin e transformimit digjital në sipërmarrje dhe ekonomi, duke theksuar edhe sfidat që lidhen me aftësitë, pabarazinë, besimin dhe privatësinë.

“Transformimi digjital, ky akses i ri në njohuri, i lidh sipërmarrësit me tregje të reja dhe krijon mundësi të reja për inovacion. Por, në të njëjtën kohë, ai ngre pyetje të rëndësishme për aftësitë, pabarazinë, besimin, privatësinë dhe rolin e ardhshëm. Siç ka thënë dikur ekonomisti Kevin Baldwin: “Kushdo që beson se rritja eksponenciale mund të vazhdojë përgjithmonë në një botë të kufizuar, është ose i çmendur ose ekonomist”. Por ky qëndrim mbart një mesazh domethënës: progresi nuk mund të matet vetëm me atë se sa shumë prodhojmë apo sa shpejt rritemi. Ai duhet të vlerësohet edhe në bazë të qëndrueshmërisë, gjithëpërfshirjes, përgjegjshmërisë dhe aftësisë për të përmirësuar jetën e njerëzve në afat të gjatë”, tha ai.

Krasniqi tha se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te ndryshimi, por edhe te mënyra se si ai mund të formësohet në mënyrë inovative, etike dhe të qëndrueshme.

“Prandaj, pyetja qendrore këtu nuk është nëse transformimi do të ndodhë, sepse ai tashmë po ndodh. Pyetja është nëse mund ta kuptojmë dhe ta formësojmë atë në mënyra që janë inovative, etike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Pikërisht këtu kërkimi në fushën e menaxhimit dhe sipërmarrjes ka një rol thelbësor. Detyra jonë nuk është thjesht të përshkruajmë ndryshimet teksa ndodhin. Ne duhet të shpjegojmë faktorët që i nxisin ato, qasjen, pasojat, sfidat dhe supozimet që lidhen me to. Për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, këto çështje janë veçanërisht të rëndësishme. Ne kemi të rinj të talentuar, energji sipërmarrëse, një diasporë të fuqishme dhe potencial në rritje në fushën digjitale. Por, në të njëjtën kohë, përballemi me shumë sfida që lidhen me konkurrueshmërinë dhe aftësitë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Këto sfida nuk duhet të na dekurajojnë. Ato duhet të na nxisin të kërkojmë dhe të punojmë me një qëllim më të madh dhe mbi bazën e dëshmive më të forta”, tha ai.

Në konferencë ka folur edhe drejtoresha e Revistave Shkencore dhe e Komunikimit me Komunitetin Global në AOM, Irina Burns, e cila ka prezantuar misionin e Akademisë dhe përpjekjet për zgjerimin e qasjes së studiuesve në komunitetin shkencor ndërkombëtar.

“E themeluar në vitin 1936, ne kemi mbi 22 mijë anëtarë në 110 vende të botës dhe tani po e zgjerojmë edhe më tej këtë shtrirje. Misioni i Akademisë është të ndërtojë një komunitet studiuesish, t’i lidhë ata dhe të eksplorojë idetë në nivel global. Vizioni ynë është të frymëzojmë kërkime dhe mësimdhënie më të mirë në fushën e menaxhimit dhe organizatave në mbarë botën”, tha ajo.

Burns ka folur edhe për Programin për Përshpejtimin e Komunitetit (CAP), duke thënë se nisma synon të zgjerojë qasjen në kërkime dhe publikime shkencore.

“Si pjesë e “Vizionit 2030”, kemi zhvilluar Programin për Përshpejtimin e Komunitetit, CAP. CAP lindi në Ballkanin Perëndimor. Ishte eksperimenti ynë i parë. Donim të shihnim nëse mund t’u ofronim studiuesve në mbarë botën qasje në programin tonë për përshpejtimin e komunitetit, në publikimet tona dhe në komunitetin tonë global. Nismat e CAP synojnë të zgjerojnë qasjen, të forcojnë partneritetet dhe të fuqizojnë kërkimin shkencor të studiuesve. Ideja është se të gjithë kanë kërkime të mira. Të gjithë kanë punë të mira shkencore. Ka njerëz të zgjuar kudo në botë, por jo të gjithë kanë qasje të barabartë. Dhe misioni i Akademisë tani është t’u ofrojë të gjithëve qasje të barabartë”, tha ajo.

Të Ngjashme