Aktuale

Atentati me dy viktima në Rinas, pezullohet drejtori në AMP: Muçi Shaljani u punësua në shkelje të ligjit

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është vendosur masa e sigurisë “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” për shtetasin Gëzim Sala, drejtor i shërbimeve mbështetse në AMP.

Sala është nën hetim për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga vetë AMP-ja për punësimin në kundërshtim me ligjin të shtetasit Muçi Shaljani, i cili humbi jetën në rrethrrotullimin e Rinasit, pas një atentati mafioz. Viktimë në këtë atentat mbeti edhe  Gilmando Dani.

Nga hetimet rezultoi se Muçi Shaljani, ishte punësuar prej afro 2 muajsh në AMP, si ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Prokuroria konstatoi se dokumenti i paraqitur nga Shaljani ishte i falsifikuar, pasi AMP nuk e kishte pajisur me të.

Ai kërkoi punësimin më 9 shtator 2025, ndërsa pranimi u formalizua më 15 shtator 2025, përmes një urdhri që rezultoi i paligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin për AMP-në dhe Rregulloren e miratuar me VKM Nr. 532, datë 29.07.2022.

Ligji dhe rregullorja përcaktojnë qartë procedurat e rekrutimit: shpallje e vendeve vakante, krijim komisionesh për përzgjedhje, testime, verifikime përfundimtare dhe periudhë prove para nënshkrimit të kontratës dhe urdhërit të emërimit.

Sipas Prokurorisë, Drejtori Gëzim Sala ka nënshkruar miratimin e punësimit vetëm për anën formale, duke e lejuar procedurën të zhvillohej jashtë kornizës ligjore dhe me motivacionin “pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”, duke konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Muçi shaljani  u punësua në mënyrë të paligjshme dhe shumë shpejt, vetëm katër ditë pas kërkesës së tij, dhe është paguar rregullisht nga data 16 shtator deri më 11 nëntor 2025, pa u paraqitur asnjëherë në punë apo kryer detyrë.

Hetimet për këtë rast vazhdojnë./vizionplus.tv

Të Ngjashme