Lidhja Demokratike e Kosovës të shtunën do të mbajë një Kuvend jashtëzakonshëm, ku pritet të shqyrtohet dorëheqja e paralajmëruar e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku. Këtë dorëheqje ai e kishte ofruar pas rezultatit “katastrofik” të kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Megjithatë, kjo formë e dorëheqjes së tij është kritikuar nga disa bashkëpartiakë dhe njohës të çështjeve politike, duke vlerësuar se dorëheqja do të duhej të ishte e parevokueshme.
Dorëheqjen Abdixhikut ia kanë kërkuar edhe Hykmete Bajrami, e cila dha dorëheqje nga pozita e nënkryetares së partisë, si dhe Arben Gashi e Avdullah Hoti. Ky i fundit ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së.
Situatën brenda LDK-së dhe pritjet për Kuvendin e së shtunës i ka komentuar opinionisti Bejtullah Sokoli në një prononcim për gazetën “Bota sot”.
Sipas Sokolit, është shumë me rëndësi për momentin se çfarë mendojnë dhe çfarë do të bëjnë disa ish-lëdëkistë, të cilët mëtojnë se janë në rrugën, frymën dhe vijën e liderit historik të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, mu në ditën kur të shtunën do të mbahet Kuvendi i punës së kësaj partie.
Ai ka përmendur emër për emër disa nga figurat e LDK-së, duke thënë se të njëjtit duhet të bëjnë me dije se ishin gjithmonë LDK dhe nuk do të heqin kurrë dorë nga ajo.

Bejtullah Sokoli
“Do të ishte mirë që Agim Veliu, Skënder Hyseni, Adem Salihaj, Melihate Tërmkolli, Skënder Zogaj, Faton Bislimi, Naser Rugova, Valon Murtezaj, Lulzim Zeneli, Naser Osmani, Hafiz Gagica, Florim Zeqa, Astrit Haraqija, Rexhep Gjergji, Zejnullah Rrahmani, Arban Abrashi, Blerim Grainca e pse jo edhe Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Haxhi Abdyli, etj., të shtunën të shkojnë para selisë qendrore të LDK-së, së paku të shprehin pakënaqësi për padrejtësitë që u janë bërë këtyre dhe të tjerëve vite me radhë me largimin, injorimin dhe përçmimin si anëtarë të devotshëm të rugovizmit. T’u bëjnë me dije sot e nesër se ne ishim, jemi dhe do të jemi sot e mot këtu, duke mos hequr kurrë e kurrë dorë nga LDK-ja”, ka nënvizuar ai.
Sipas Sokolit, të lartpërmendurve do të duhej t’u bashkoheshin edhe Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Arben Gashi, e po ashtu edhe ata që po përjashtohen nga pjesëmarrja në Kuvendin e partisë.
“Qerrja është thyer dhe s’ka më keq që bëhet. Por do të ishte mirë që këtyre të parathënëve t’u bashkohen edhe Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi dhe të tjerë. Për më tepër, aty duhet të jenë edhe disa delegatë të Kuvendit nga degët, të cilët po i përjashtojnë nga pjesëmarrja në Kuvendin e LDK-së që do të mbahet të shtunën. Tashmë është i njohur rasti i delegatit nga Mitrovica”, ka theksuar Sokoli.
Ai i ka bërë thirrje kandidatit të vetëshpallur për kryetar të LDK-së, ish-kryeministrit Avdullah Hoti, që të veprojë për t’i bashkuar “copat e partisë”.
“Kujtojmë në fund se Avdullah Hoti, të dielën e kaluar, ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së, ndërsa ditëve të fundit, gjatë bisedave në disa studio televizive, ka deklaruar dhe premtuar me gojë e me duar rikthimin e të larguarve nga LDK-ja: ‘Mund t’i bashkoj copat e partisë. Të gjitha copat e partisë të bëhen bashkë, sepse ne nuk kemi njerëz për të humbur dhe duhet të respektojmë mendimin ndryshe në parti.’ Nëse është kështu, atëherë Avdullah, vepro që tani, sepse nesër bëhet vonë. Me siguri nuk do të mungojë përkrahja e këtyre ‘rugovistave’, por edhe e të tjerëve. Sepse rugovizmi nuk mbrohet vetëm me fjalë, por me vepra konkrete. E keni fjalën sot, nesër bëhet vonë. Vonë, vonë, vonë, gjithmonë vonë. Përse dhe deri kur kështu?!”, ka përfunduar Sokoli.
