
Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka vizituar fshatin Leshak të Leposaviqit dhe është pritur në takim nga banorët, të cilët paraqitën ankesat e tyre lidhur me vendimin për rrënimin e 12 shtëpive të tyre.
Komuna e Leposaviqit me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kishte vendosur që të rrënoheshin këto shtëpi, sepse sipas tyre janë ndërtime pa leje.
Por, ky vendim nuk u zbatua përkohësisht me ndërhyrjen e ministrit për Komunitete dhe Kthim në detyrë, Nenad Rashiq, duke hapur rrugën për dialog dhe kërkim të një zgjidhje.
Banorët e Leshakut po konsiderojnë se po u cenohen të drejtat e tyre.
Pas paraqitjes së ankesave të tyre, gjatë takimit avokati Qelaj tha se ekziston një ligj për objektet pa leje dhe se çdo komunë është e obliguar të ketë një regjistër për këto objekte.
Sipas tij, para se të merren vendime për rrënim, duhet të verifikohet nëse ato objekte paraqesin rrezikshmëri dhe t’u jepet mundësi banorëve për legalizim.
Përveç të tjerash, Qelaj tha se ky problem nuk është i pazgjidhshëm.
“Ekziston një ligj për objektet pa leje, secila komunë duhet ta ketë një regjistër. Duhet verifikuar nëse ato objekte paraqesin rrezikshmëri. T’iu jepet mundësia e legalizimit. Kur të përfundojnë këto procedura jepet urdhri për rrënim… Të gjitha këto aspekte janë shumë të rëndësishme. Mendoj që secili autoritet duhet të ketë parasysh edhe kontekstin lokal apo situatën, edhe rrethanat që lidhen se si dhe në çfarë periudhe janë ndërtuar këto shtëpi. Pse është penguar të ndërtohen. Mundësia e gjetjes së një kompromisi. Sepse edhe komuna, edhe ministria dhe secili autoritet çdo herë duhet të niset nga politika që janë në interes të qytetarëve. Sidomos kur kemi të bëjmë me një numër të madh të familjeve. Ditëve në vijim do ta përcjell situatën dhe do të interesohem pse nuk i keni marrë vendimet për pezullim. Është e drejtë e juaja për t’i pasur. Do t’i shoh mundësitë që të zgjidhet kjo cështje. Unë e di problematikën për shkak të pronëa. Nuk është e pazgjidhshne si problem”, tha Qelaj në takimin me disa banorët e Leshakut.
Ndërkaq, pas takimit me banorët, Qelaj para mediave theksoi se banorët kanë ngritur shqetësimin se procedura deri në marrjen e vendimit për rrënim është zhvilluar pa transparencë, pa një informim të duhur, dhe se nuk janë konsultuar apo nuk u është dhënë mundësia të kërkojnë legalizim apo një alternativë tjetër, për të mos mbetur në rrugë.
Ai tregoi se u ka thënë banorëve se në çdo hap që do të ndërmarrin autoritetet publike, do të kërkohet që të garantohen të drejtat që u takojnë.
“Kemi ardhur në një vizitë në fshatin Leshak, tek familjet të cilat ditë më parë kanë pranuar një njoftim për rrënimin e shtëpive nga Komuna e Leposaviqit. Takimi ishte shumë i ngrohtë… Biseduam në mënyrë të hapur për problemet dhe shqetësimet që i kanë. Ankesat që i kanë dorëzuar tek Avokati i Popullit lidhen me faktin se ata konsiderojnë se po u cenohen të drejtat e tyre. E kanë ditur që prona është publike. Nga autoritetet e asaj kohe është lejuar që të shfrytëzohen. Në vazhdimësi i kanë shfrytëzuar, edhe tash i shfrytëzojnë.”
“Sipas tyre, procedura deri të nxjerrja e vendimit është përcjellë me mungesë të transparencës, të informimit të banorëve sepse nuk kanë arritur të komunikojnë apo të marrin informata të mjaftueshme nëse ata kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për legalizim ose ta gjejnë një zgjidhje tjetër, për mos të mbetur në rrugë. Fakti që kanë adresuar tek unë, edhe pse kanë informatën që vendimi është pezulluar kam konsideruar që ka nevojë për qasjen time si avokat i popullit… Unë u thashë edhe banorëve që në vazhdimësi do ta përcjell me kujdes, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet që ka në kompetencë avokati i popullit, për t’i garantuar qytetarëve që në çdo veprim që do të marrin autoritetet do të respektojë të drejtat që i ka secili qytetarë në Kosovë”, tha Qelaj.
Qelaj tregoi se bëhet fjalë për 12 shtëpi, derisa potencoi se ekziston një ligj i veçantë për objektet pa leje, të cilit duhet referuar.
“Kjo është një rrugë, në të dy anët janë shtëpitë. E di që janë 12 shtëpi, mu tha se janë rreth 20 fëmijë që jetojnë në këto shtëpi… Ekziston një ligj i veçantë për objektet pa leje. Aty kërkohet që komuna si organi më gjegjës për t’i trajtuar këto objekte pa leje, në rend të parë duhet pasur një regjistër të ndërtimeve pa leje. Duhet t’i vlerësojnë dhe kategorizojnë në raport me rrezikun që paraqesin ato objekte, nëse paraqesin rrezik. Vetëm kur të jepet mundësia e shtjerrës së mjeteve juridike, ankesave, kërkesës për legalizim dhe natyrisht në çdo rast duhet pasur kujdes që në këto veprime me qenë të tilla që nuk paraqesin kurrë fare diskriminimi”, tha Qelaj.
Këto 12 shtëpi në fshatin Leshak të Komunës së Leposaviqit nuk do të rrënohen të paktën jo deri sa të vendoset një zgjidhje për familjet që jetojnë aty.
Në zonën e Leshakut këto shtëpi janë ndërtuar në mes viteve 2013 dhe 2015 ndërsa afër tyre së fundmi MPB ndërtoi një stacion policor.
Ndërtimet ishin zhvilluar pa u penguar nga autoritetet lokale, derisa banorët pretendojnë që kishin marrë një pëlqim nga autoritetet lokale të asaj kohe për këto ndërtime.