Avokati Zahir Hamza ka reaguar pas procesimit të Buxhetit 2026, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për Kosovën dhe shprehje të vullnetit të mbi 51% të votuesve që, sipas tij, kanë mbështetur ndryshimin.
Ai ka kritikuar partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – duke i akuzuar për bllokada të vazhdueshme dhe veprime të motivuara nga interesa partiake.
Sipas Hamzës, ministri i Financave Hekuran Murati ka sqaruar se Buxheti 2026 po votohet si buxhet urgjent për të shmangur bllokimin e investimeve kapitale, me mundësi rishikimi në vijim.
Hamza ka theksuar se forca më e madhe politike, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka legjitimitetin për të çuar përpara proceset shtetërore, ndërsa ka bërë thirrje për ndryshime kushtetuese që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, për të shmangur bllokada të ngjashme në të ardhmen
Në fund, ai është shprehur i bindur se presidentja Vjosa Osmani do të rizgjidhet, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, duke theksuar se Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vizion dhe ndershmëri.
Shkrimi i plotë:
Buxheti 2026, i procesuar dje, është një hap i rëndësishëm për popullin e Kosovës dhe njëkohësisht shprehje e vullnetit të mbi 51% të votuesve që kanë zgjedhur ndryshimin, përkundër vullnetit të opozitës (PDK, LDK, AAK) për ta bllokuar në çdo hap ecjen përpara të Kosovës.
Për më shumë se një vit kemi parë bllokada në forma të ndryshme, të motivuara nga interesa personale e partiake të opozitës, të cilat natyrshëm u ndëshkuan me votën e popullit.
Gjatë fjalimit, Ministri i Financave Hekuran Murati, si ekspert i ekonomisë, e sqaroi qartë se po votohet Buxheti 2026 si buxhet urgjent, me qëllim që të mos bllokohen investimet kapitale dhe nevojat e qytetarëve. Ai theksoi se buxheti mund të rishikohet më pas.
Kjo qasje lidhet edhe me faktin se jemi pranë procesit të zgjedhjes së Presidentes. Nëse nuk arrihet zgjedhja e saj, vendi shkon sërish në zgjedhje dhe Kosova rrezikon të humbë edhe një vit tjetër, duke cenuar stabilitetin financiar dhe investimet. A e kupton opozita këtë përgjegjësi, apo interesat partiake dhe personale janë mbi interesin e shtetit?
Grupi i PDK-së u viktimizua me arsyetimin se kishin propozuar amendamente për rritjen e financimit për mbështetjen në Hagë. Kjo duket më shumë si arsyetim politik sesa shqetësim real. Historia ka treguar se interesat partiake shpesh kanë mbizotëruar mbi interesin e përgjithshëm.
Nga ana tjetër, AAK theksoi rritjen e investimeve në komunat që udhëheq. Kjo qasje lë përshtypjen se prioritet është interesi lokal partiak, e jo interesi i përgjithshëm i qytetarëve të Kosovës.
LDK arsyetohet me interesin e përgjithshëm, por në praktikë shpesh veprimet e tyre reflektojnë më shumë interes partiak dhe individual sesa një vizion gjithëpërfshirës për shtetin.
Në fund, qëllimi i opozitës duket të jetë vazhdimi i bllokadave, pa marrë parasysh pasojat për qytetarët. Për fat, mbi 51% e votuesve kanë mbështetur forcën më të madhe politike, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke i dhënë legjitimitet për të çuar përpara proceset shtetërore.
Është e domosdoshme që të shqyrtohen ndryshimet kushtetuese që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, në mënyrë që të shmangen bllokada të tilla në të ardhmen dhe të mos mbahen peng proceset shtetërore nga kalkulimet partiake.
Ky është një mendim personal, në frymën e vullnetit të shumicës së qytetarëve.
Forca më e madhe politike, LVV, me këtë përkushtim dhe me këtë vizion për interesin shtetëror e qytetar, do të vazhdojë të mbetet fuqia kryesore politike në Kosovë.
Kosova nuk ka luftuar për t’u bllokuar nga interesa individuale apo partiake.
Dëshmorët nuk kanë dhënë jetën që Kosova të mbetet e bllokuar.
Invalidët nuk kanë mbetur me pasoja të përjetshme që shteti të pengohet në rrugën e tij.
Populli nuk ka vuajtur ndër shekuj për ta parë Kosovën të ndalur në vend, në vend që të ecë përpara.
Të gjithë e dimë se kemi pasur një armik që na ka vrarë, na ka bllokuar dhe na ka shkatërruar – shtetin serb.
Por sot lind pyetja: kush po na bllokon tani?
Janë politikat e ngushta dhe individët që pasurohen në kurriz të popullit.
Le të punojnë ata që ia duan të mirën këtij vendi.
Le të ecim përpara.
Mjaft më me bllokada, mjaft me inate personale e politike.
Shtresa politike nuk duhet të bllokojë individë apo procese për interesa partiake dhe individuale, sepse mbi çdo interes qëndron interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj.
Rinia po na ik çdo ditë. Vendi po zbrazet.
Zgjohuni, o shtresë politike! Nuk mund të mungojë ndjenja e shtetndërtimit në një kohë kur të rinjtë po e humbin shpresën dhe po largohen nga vendi i tyre.
Më e keqja është se disa individë që kanë luftuar dhe sot janë të përfshirë në politikë, e kanë dëmtuar vetë misionin që kanë pasur gjatë luftës. Misioni i tyre ka qenë çlirimi i vendit, sakrifica për liri dhe shtet.
Ndoshta do të ishte më e ndershme të qëndronin larg politikës, sesa të njolloset ai mision në përplasje politike dhe interesa personale.
Pas luftës, duhej t’u jepej hapësirë gjeneratave të reja, ideve të reja dhe një fryme të re ndërtimi shtetëror – jo të dëmtohet imazhi i sakrificës përmes përfshirjes në politikë me motive përfitimi financiar.
Edhe prindi im ka luftuar dhe ka sakrifikuar – si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj.
Madje, pas çlirimit, dy vitet e para ka punuar pa rrogë, pa asgjë, vetëm për të mirën e këtij shteti të vuajtur e të shkatërruar. Qëllimi ishte rindërtimi, puna vullnetare dhe ngritja e Kosovës mbi rrënoja.
Më pas është tërhequr, duke na lënë neve, gjeneratës së re, përgjegjësinë për të vazhduar rrugën.
E di çfarë më ka thënë?
“Bir, unë bashkë me shokët e mi kemi luftuar për t’u çliruar një herë e përgjithmonë nga Serbia. Misionin tonë e kemi kryer. Tash e tutje është radha juaj, rinisë, ta ndërtoni shtetin, të punoni me ndershmëri dhe të mos përlyheni kurrë.”
Sot ai jeton thjesht, me një pension që nuk është i madh, por i mjafton për të jetuar me dinjitet. Gjumin e bën i qetë, sepse e di që ka bërë detyrën e vet.
Mbi të gjitha, jemi të lirë.
Dhe kjo është kryesorja.
Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vizion dhe ndershmëri – jo për zhgënjim të ri.
Vjosa Osmani do te ri zgjedhet presidente! Edhe pse opozita do te bllokoje perseri!
Urime Kosovë! 🇽🇰
