Lajme

Azemi (LDK): Njehsorët elektrikë masin kohën gabim – qytetarët po mashtrohen

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbajtur një konferencë për media.

Ai ka folur mbi anomalitë, siç i quan ai, të njehsorëve elektrikë në Prishtinë dhe Ferizaj, për të cilën thotë se ka bërë hulumtim.

“E kam vërejtur një anamoli në njësorët prandaj e kam hulumtuar.  Nga 884 njehsorë që kemi hulumtuar në Prishtinë dhe Ferizaj 87% e tyre e matin kohën gabim.  Nuk po flasim për një gabim teknik por për një mashtrim dhe manipulim. Miliona euro të vjedhura nga familjet e dëmtuara. Qytetarët po paguajnë me të shtrenjtën për energjinë që mendojnë se e kanë me të lirën pas orës 22:00. Kemi pas edhe thirrje nga qeveria që të kursejmë energjinë duke e përdorur më shumë natën por kjo po del të jetë skemë mashtrimi”, tha ai.

Azemi shton se qytetari nuk ka abuzuar me rrymën, por sipas tij, këtë e ka bërë KESCO.

“Arsyeja e zëvendësimit të njësorëve analogë me digjital paska pasur për qëllim vjedhjen e energjisë elektrike nga shteti.  Po e shohim qartë që qytetari nuk paska abuzuar por KESCO. Kjo do të thotë faturim me tarifim të shtrenjtë në kohën kur duhet të jetë me tarifë të lirë.  Të gjithë ata që kanë përgjegjësi duhet të dënohen duhet të ketë hetim të sistemit të faturimit të KESCO”.

Ai kërkoi edhe dorëheqjen e bordit të ZREE-së, ndalesën e rritjeve të çmimeve, kompensim të qytetarëve, dhe hetim penal nga prokuroria.

Të Ngjashme