Për herë të parë para mediave dhe autoriteteve, Mustafa Martinaj ka folur për zhdukjen e djalit të tij, Ervis Martinaj, gjatë një seance në Gjykata e Posaçme mbi pasuritë e të ndjerit.
Seanca nuk u zhvillua për mungesë të prokurorëve të çështjes, ndërsa jashtë sallës dhe pa kamera, Mustafa Martinaj deklaroi:
“Të gjithë e dinë për djalin tim. Vetëm SPAK-u dhe mediat nuk e dinë. Djali më është ekzekutuar në Durrës. Kam ardhur vetë në SPAK me iniciativën time, por këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë kaluar Prokurorisë së Kurbinit. Nuk kam fuqi të merrem më me këtë çështje, pas për hakmarrje. Jam invalid dhe kam bërë disa ndërhyrje. SPAK-u merret me vogëlsira dhe jo me gjëra të mëdha.”
Derisa Mustafa Martinaj ka shprehur shqetësimin e tij për trajtimin e çështjes nga SPAK, aktualisht nuk ka rezultate të reja lidhur me zhdukjen e Ervis Martinaj. Autoritetet kanë administruar disa komunikime me platformën “Sky”, por ende nuk ka prova të reja që hedhin dritë mbi ngjarjen.
