Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ka kritikuar PDK-në lidhur me protestën e sotme, duke e akuzuar se po tenton ta shfrytëzojë atë për poena politike dhe për të krijuar, sipas tij, një “kauzë të paqenë”
Bahtiri ka thënë se VV-ja e ka votuar ligjin dhe se është zotuar që ta votojë edhe në lexim të dytë, por ka kundërshtuar atë që e quan instrumentalizim të emocioneve të qytetarëve.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta votojnë Presidentin dhe të kontribuojnë që Kosova të mos shkojë sërish në zgjedhje, duke e cilësuar një tjetër proces zgjedhor si “të tepruar dhe të turpshëm”.
Postimi i plotë:
Është shqetësues fakti se si PDK-ja, po e shfrytëzon çdo mundësi që një protestë paqësore ta kthen në huliganizëm, për të ngritur një kauzë të paqenë, ku qellimi i tyre i vetëm është destabilizimi i shtetit të Kosovës.
Ata po tentojnë të krijojnë frymen, kinse ne jemi kundër UÇK-së, dhe kundër atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë, që është plotësisht e pavërtetë. Përkundrazi, ne edhe atëherë kemi qenë kundër dhe as nuk ua kemi dhënë votat për formimin e asaj gjykate, as nuk kemi bërë thirrje që të votohet ajo gjykatë, dhe për këtë fakt, e kemi ndërgjegjjen e qetë.
Nuk e kuptoj sa të pafytyrë mund të jenë disa njerëz, që dje e votuan me ngulm këtë gjykatë, por edhe disa të tjerë që thonin se me dy duart do ta votonin sërish, ndërkaq sot dalin e na thonë zhbëjeni ju! Po, ne do të mundohemi me të gjitha format të luftojmë për drejtësi, pa kursyer asgjë.
Dalin e thonë: “VOTONE LIGJIN!”
Po, ne unanimisht e votuam ligjin, edhe ju garantuam se ky ligj do të votohet edhe në lexim të dytë, pa asnjë diskutim, por ta keni të qartë se ne nuk votojmë për kauzen tuaj imagjinare. E di se plani juaj është kështu: të votohet ligji në të dy leximet, e pastaj ju as nuk do ta ktheni koken për çështjen e Presidentit, por do ta çoni përpara idenë se kjo Qeveri nuk interesohet fare për fatin e atyre në Hagë, prandaj mos ta zgjedhim Presidentin por të shkojmë në zgjedhje dhe në emër të kësaj kauze mendoni se do të merrni një grusht vota më shumë.
Ne me çdo kusht po mundohemi që ta përmirësojmë atë gabim që ju e bëtë me plot vullnet atëbotë. Edhe ju vet e dini se pa pasur shtet të qëndrueshëm e institucione funksionale nuk mund të ketë dobi as për ata në Hagë. Rrjedhimisht, është shqetësues fakti se juve nuk po ju bëhet vonë për këtë. Dhe këtu bjen poshtë kauza juaj e paqenë! Mos i shfrytëzoni emocionet e qytetarëve për poena politike. UÇK-ja është e popullit. Edhe në kohërat më të vështira, nuk ka pasur fe e as parti që ka mundur ta përçajë këtë popull.
Qytetarët nuk e meritojnë të luani kështu me emocionet e tyre për luften çlirimtare!
Ne po i ftojmë të gjithë deputetët e kuvendit të Kosovës, pavarësisht cilës parti i takojnë, që ta votojnë Presidentin, dhe të kontribuojnë që vendi të mos shkojë serish në zgjedhje sepse ËSHTË E TEPRUAR DHE E TURPSHME!
