Lajme

Bajqinovci: Shiroka-Pula nuk është e lidhur me asnjë subjekt politik

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka vlerësuar se presidentja e zgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, përfaqëson një figurë konsensuale dhe të përshtatshme për të udhëhequr institucionin e presidencës.

Bajqinovci tha se Shiroka-Pula nuk është e lidhur aktualisht me ndonjë subjekt politik dhe se prej kohësh është shkëputur nga angazhimi politik.

“Është konsensuale, sepse znj. Pula është kryetare e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Një kohë të gjatë ka dalë prej politikës, nuk ka asnjë post politik dhe zyrtar në PDK. Është në ASHAK dhe mendoj që është zonjë e qëlluar”, deklaroi Bajqinovci.

Ai tha se e njeh Shiroka-Pulën edhe nga paraqitjet e saj të mëparshme në emisione televizive, duke veçuar qëndrimet e saj kritike ndaj privatizimit të KEDS-it.

“Kam pasur fatin ta kem disa herë në emisione. Ka qenë kritike ndaj privatizimit të KEDS-it”, u shpreh ai.

Bajqinovci e konsideroi veçanërisht të rëndësishme faktin që zgjedhja e presidentes, sipas tij, ka shmangur mundësinë që Kosova të përballet me një tjetër proces zgjedhor.

“Jam shumë i gëzuar që vendi më s’shkon në zgjedhje”, tha deputeti.

Të Ngjashme