Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bajrami: Deputetët e VV-së po kryejnë vepra penale, organet e drejtësisë të veprojnë

 
   

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë ndaj deputetëve të LVV-së, të cilët mbajnë edhe pozitat në ekzekutiv si ministra në detyrë.

Në një postim në Facebook, Bajrami ka theksuar se deputetët e LVV-së çdo ditë po e rëndojnë jetën e qytetarëve të vendit, dhe po e sfidojnë rendin Kushtetues.

“Duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës, duke rënduar jetën e qytetarëve për çdo ditë, deputetët e Vetëvendosjes po sfidojnë rendin ligjor e kushtetues të Kosovës. Duke e ditur se po shkelin ligjet dhe kushtetutën dhe rrjedhimisht po kryejnë vepra penale kanë nisur fushatën e viktimizimit dhe propagandës se gjyqësori po përgatit arrestimin e ‘ministrave’ në llogari të partive tjera”.

U bëj thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë të veprojnë, të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe të vlejë parimi për të gjithë: Askush mbi ligjin”, ka thënë Bajrami.

E njëjta i përmendi katër sqarime që sipas saj deputetët e VV-së po kryejnë vepra penale duke mbajtur të uzurpuara pozitat qeveritare.

E para, lëndë në Gjykatë Kushtetuese mund të dërgojnë vetëm deputetët që kanë fituar mandatin, që janë certifikuar, që janë betuar dhe që VOTOJNË në Parlamentin e Kosovës. E thjeshtë, nëse nuk je deputet nuk mund votosh në Parlament. Ligji dhe Kushtetuta e kanë kufizuar ndërsa Gjykata Supreme e ka sqaruar përfundimisht se deputeti nuk mund të jetë në dy funksione. E dyta, Kushtetuta në nenin 70 e thotë se mandati i deputetit fillon në ditën kur certifikohen zgjedhjet. S’je deputet nëse s’ke bërë betim, s’mund të jesh deputet nëse je i emëruar anëtar i Qeverisë”.

E treta, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e thotë qartë se  ‘Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve’. E katërta dhe po aq e rëndësishme: Qeveria në dorëheqje NUK lejohet të miratojë as strategji dhe madje as koncept dokument”, ka thënë Bajrami.

Bajrami shtoi se me ligjin që e kanë miratuar e hartuar vetë, deputetët e VV-së e kanë ndaluar të miratojnë dokumente që janë më pak të rëndësishme se aktet ligjore e nënligjore.