
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami është takuar sot me zyrtarin e lartë amerikan për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan.
Bajrami përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” tha se në këtë takim ka shprehur shqetësimet për situatën politike të krijuar në Kosovë, transmeton KosovaPress.
“Në takim ndava shqetësimin për krizën e thellë institucionale që po e paralizon vendin.Shpreha qëndrimin e LDK-së se Kosova ka nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike, jo për tentime të njëanshme nga një parti që nuk ka shumicë.Theksova se LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.
Zyrtar i Lartë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan ka arritur dje në Kosovë ku po zhvillon takime me liderët e partive politike në vend.