Kreu i opozitës, Sali Berisha, tha sot nga konferenca e radhës për mediat në selinë e PD-së, se Edi Rama po e përdor Belinda Ballukun si parzmore për të mbrojtur veten e tij, duke mos pranuar t’i heqë imunitetin për aferat korruptive.
Ai denoncoi skandalet e reja si ndërtimi i një “Dubai ofshore” në Durrës nga kartelet e krimit dhe vetë kryeministri, dhënien e ndërtimit të Porto Romanos një kontraktori rus për ndërtim, skandalet e AKSHI-t për vjedhjen e të dhënave të shqiptarëve dhe kontrollin e qytetarëve me Ergys Agasin.
Por mbi të gjitha, Berisha tha se Rama duhet të dorëhiqet, sepse në të kundërt do përfundojë si kulti i Enver Hoxhës.
“Edi Rama, me firmën e tij, ka vendosur të ndërtojë në Durrës Dubain e vetë të 1 mijë e 1 netëve, ofshore, 4 mld euro, që do e ndërtojë me paratë e drogës, Armand Josifit, Troplinëve dhe të tjerëve. Rama është i implikuar kokë e këmbë, në ndërtimin e portit të ri në Porto Romano nga kompani ruse. Shikoni çfarë bëhet, nga njëra anë shkonte në selinë e NATO-s dhe kërkonte të mbështesnin projektin, nga ana tjetër kontaktonte një kontraktor rus për ndërtimin. Konfirmoj se do bëhet hetim parlamentar për këtë çështje”, tha kreu i selisë blu.
Berisha akuzoi Ramën se në dosjen e Ballukut mbi gjysma e mesazheve që ka zbërthyer SPAK i përkasin atij.
“Në dosjen Balluku, nga 6700 mesazhe, 3500 janë të Ramës. Balluku është thjesht shërbëtore e tij, mirë t’i bëhet. Por dosja më e tmerrshme, më e pashembullt, është AKSHI, me të cilin Rama plaçkiti nëpërmjet baxhanakut me qindra tenderë sekretë në kundërshtim me ligjin, qindra e qindra milionë euro. Aty, me Ergys Agasin dhe Mirlindën e AKSHI-t, plaçkitën të dhënat e të gjithë shqiptarëve, vunë nën kontroll cilindo të huaj që dëshironin. Urdhëruan marrjen peng, morën peng, u emëruan e shkarkuan ministra, të gjitha me interesat kriminale Agasi-Rama”, nënvizoi ai.
Sipas kryedemokratit, kryeministri duhet të dorëhiqet një orë e më parë, pasi shqiptarët janë revoltuar njëlloj si me kultin e Enver Hoxhës.
“Rama të japë urgjentisht dorëheqjen, revolta dhe zemërimi i qytetarëve ndaj Ramës, po arrin nivelet e zemërimit dhe revoltës së shqiptarëve ndaj kultit të Enver Hoxhës. Që do të thotë se do bëhet e pashmangshme, do bëhet revoltë kundër kultit të tij, ndaj jep menjëherë dorëheqjen! Përpjekjet e Ramës për të përdorur Lubinë si parzmore, për ta mbrojtur, për të mos i heq imunitetin dhe për të mos e shkarkuar, nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të mbrojtur veten e tij”, u shpreh kryetari i PD.
Lideri i opozitës preku edhe çështjen e nismës së Ramës për ndryshimin ligjor mbi Nenin 242 të pezullimit të ministrit. Ai e denoncoi se po bënte një përpjekje të paligjshme, teksa theksoi se kryeministri është i pashpresë.
“Po kaq skandaloze janë përpjekjet e tij për të ndryshuar ligje e shkelmuar Kushtetutën, për të cilësuar persona të papezullueshëm edhe ata që vetë Kushtetuta parashikon pezullimin. Dhe kur Kushtetuta parashikon pezullimin nga detyra të gjykatësit të lartë, vihet menjëherë në ndjekje penale e kështu me gjykatësit e tjerë, KLSH-së, Avokatit të Popullit, parashikon procedurën e shkarkimit të Presidentit. Rama është i pashpresë dhe shqiptarët nuk do e pranojnë”, tha Berisha.
Kreu i PD e cilësoi edhe skandalin e inceneratorëve si një monument të zi korrupsioni, me llamarina dhe pa asnjë tullë, teksa bëri analogji për rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Monumenti më i zi ishte afera e djegësve, i Tiranës me firmën e tij, 130 mln euro dhe nuk ekziston një tullë. Djegësat e tjerë janë llamarinë dhe nuk ekzistojnë më. Veliaj në vend që të burgosej për 130 mln euro të zhdukura bashkë me Ramën, është burgosur për disa milionë të kaluara në konton bankare të gruas së tij, me një garderobë aq të kushtueshme, e larmishme, sa e Lejlasë së Assadit në Moskë, aq ishte, ia numëruan në Moskë, vetëm gardëroba e posaçme, kështu ishte edhe gardëroba e Ajolës”, akuzoi krue i selisë blu.
