Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka nxjerrë një detaj nga dosja që SPAK dorëzoi në Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet ku kërkoi autorizim për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Bardhi tha se nuk i lejohet të nxjerrë pjesë të dosjes, por nuk la pa zbuluar një SMS që ndodhej në dosjen SPAK.
“Mua nuk më lejohet të jap të dhëna nga dosja, por një mesazh po e zbuloj. Çfarë pune kishte ministrja e Infrastrukturës që në orën 19:49:20 të vitit 2019 t’i dërgonte një mesazh vartësit të saj Ervis Berberi ku i shkruante: “A e bëre pasqyrën sot sa shtëpi ke shit?”
Nuk dimë që zonja Balluku të kishte ndonjë agjenci imobiliare”, tha Bardhi në emisionin “Opinion”.
Bardhi zbuloi më tej se SPAK ka nisur edhe një hetim pasurie ndaj Belinda Ballukut.
