
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mirëpriti në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Olivier Guérot. Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi të ndërsjellë, duke reflektuar interesin reciprok për lidhje të forta mes dy shteteve.
Në njoftim thuhet se qendër të diskutimeve ishte thellimi i marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë në fushën e arsimit. Basha dhe Guérot u pajtuan për shtimin e programeve të shkëmbimit të studentëve nga të dyja vendet, duke forcuar kështu vlerat e përbashkëta, lidhjet mes popujve dhe bashkëpunimin mes studentëve dhe universiteteve tona.
“Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës ishte intensifikimi i bashkëpunimit për nxitjen e investimeve nga kompanitë franceze në Kosovë, në mënyrë që të krijohen vende të reja pune dhe njëkohësisht të afirmohet potenciali i rinisë kosovare, e cila është profesionale, inovative dhe e orientuar drejt zhvillimit teknologjik dhe jo vetëm”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në takim u trajtuan gjithashtu çështje me rëndësi gjeopolitike dhe strategjike, si ndikimi rus në Evropë, nevoja për mbështetje nga Franca për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe domosdoshmëria e heqjes së masave nga Bashkimi Evropian ndaj vendit tonë. Kryetari Basha theksoi se këta hapa ndikojnë pozitivisht në forcimin e demokracisë dhe ndihmojnë në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në vend.
“Kryetari i Kuvendit shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe rëndësinë e integrimit të plotë, në funksion të një shoqërie që bashkëjeton në respekt, barazi, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke kontribuar në prosperitetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.