Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Basha: LDK nuk po mundet pa PDK-në, ne i kemi thënë jo

 
   

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka kritikuar ashpër mosvotimin e komisionit zgjedhor në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar si një shkelje të përsëritur të Kushtetutës.

Para mediave, Basha tha se është absurde që për herë të 24-të nuk votohet një komision kaq i thjeshtë dhe se deputetët nuk po e ushtrojnë funksionin e tyre të votës, pavarësisht se votojnë pro, kundër apo abstenim.

“Është absurde që për 24 herë shkelet Kushtetuta dhe nuk votohet një komision i thjeshtë. Deputetët nuk po e ushtrojnë funksionin e tyre që është vota, qoftë pro, kundër apo abstenim,” tha Basha.

Ai gjithashtu theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë me një propozim, por se Vetëvendosje kishte ofruar një zgjidhje për të kaluar krizën në Kuvend dhe Qeveri, të cilën sipas tij LDK e ka refuzuar.

“Ne kemi bërë një ofertë për të kaluar krizën e Kuvendit dhe Qeverisë, e LDK e ka refuzuar atë. Për mua është e pakuptimtë se cila nga pikat që i ka ofruar LDK-ja nuk mund të implementohet pa PDK-në,” tha deputeti i LVV-së.

Basha kërkoi që LDK të respektojë fjalën e dhënë më 8 prill, kur kryetari i saj kishte premtuar se nuk do të jenë pengesë për konstituimin e Kuvendit.

“Nëse LDK vazhdon me thënë se është parti e fjalës, atëherë kryetari i LDK-së duhet ta mbajë fjalën e dhënë më 8 prill ku ka thënë se nuk do të jemi pengesë në konstituimin e Kuvendit,” u shpreh Basha.

Ai përmendi se partitë rival politik mund ta kenë Albin Kurtin, por siç theksoi Basha “ne nuk e kemi kandiduar për kryeparlamentar Albin Kurtin”

Basha tha se kanë qenë të qartë në qëndrimet e tyre.

“Ne shkojmë me LDK-në, por i kemi thonë jo PDK-së. E LDK-ja nuk po donë vetëm me LVV-në pa PDK-në e AAK-në”, tha Basha.