Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha bashkë me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e ministra në detyrë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Pas homazheve, ai tha se kjo ditë është e shenjtë dhe i bashkon të gjithë shqiptarët.
Basha: Kjo ditë është e shenjtë për gjithë shqiptarët
“Sot pra festojmë Ditën e Flamurit, ditë jashtëzakonisht e shenjtë që i bashkon shqiptarët gjithandej përtej çdo kufiri, përtej çdo oqeani. Sot në Prekazin e lavdishëm festojmë gjithashtu ditën e shenjtë, kur kryetrimi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin në Lezhë, në vitin 1943. Sot festojmë Ditën e Pavarësisë dhe ngritjen e dy krenares në Vlorë, sot gjithashtu i festojmë daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga heroi ynë, Mujë Krasniqi, gjeneralët Daut Haradinaj dhe gjenerali dhe kolegu ynë, Rexhep Selimi. Dhe sot gjithashtu festojmë ditëlindjen e Adem Jasharit, komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është një ditë festash për shqiptarët kudo që ndodhën, është një ditë e shenjtë për neve dhe prandaj qytetarët nga të gjitha trevat, përfshirë edhe nga mërgata vijnë dhe festojnë këtu në Prekazin e lavdishëm, një ndër vendet më të shenjta që ka trevat shqiptare. Qofshim të bashkuar gjithmonë”, deklaroi Basha.
Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pushojnë trupat e Jasharëve, të vrarë me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. 28 nëntori shënon daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.

