Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bashkëshortja e Arbnor Spahiut kërkon drejtësi dhe transparencë, thotë të mos politizohet rasti

 
   

Tash e tetë ditë gjendet në ndalim në burgun e Suboticës në Serbi.

Ish-zyrtari policor i NJSO-së, Arbnor Spahiu i cili u ndalua nga autoritetet serbe, po akuzohet për përfshirje në rastin Banjska.

Bashkëshortja e Arbnor Spahiut, Arieta, thotë se kanë pasë një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilit thotë se i ka kërkuar të mos politizohet rasti.

“Po, takimi me Kryeministrin Kurti ishte i rëndësishëm dhe i nevojshëm, sidomos në këtë periudhë të ndjeshme. Diskutuam për zhvillimet e fundit politike dhe për nevojën që të gjitha institucionet të veprojnë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Theksova rëndësinë e transparencës dhe të shmangies së çdo ndikimi politik në proceset gjyqësore, përfshirë edhe rastin e bashkëshortit tim”, tha bashkëshortja e Arbnor Spahiut.

Spahiu në një intervistë me shkrim për Tëvë1, theksoi se janë të shqetësuar si familje, me mënyrën e trajtimit të rastit nga autoritetet serbe.

“Deri më tani, ajo që dimë është se ai ndodhet në paraburgim.Avokatët janë duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe presim që drejtësia të veprojë me profesionalizëm dhe pa anshmëri. Si familje, jemi të shqetësuar për mënyrën si po zhvillohet ky proces. nuk kemi komunikuar me te veç fizikisht e kam par para gjykate në Subotic. Gjendja e tij fizike është stabile, por emocionalisht është në një situatë të vështirë. Qëndrimi në paraburgim pa prova bindëse është i rëndë për këdo. Ai ka shprehur pakënaqësinë e tij për këtë trajtim dhe për mungesën e qartësisë ligjore në proces”, tha ajo.

E pyetur nëse kanë informacione për dëshmitarë kundër Arbnor Spahiut, ajo deklaron se duhet të merren me rezerva dhe profesionalizëm deklaratat e çfarëdo personi, dhe të jetë proces i drejtë i gjykimit.

Këto janë pyetje serioze që kërkojnë përgjigje të qarta nga institucionet përkatëse. Nëse ka dëshmi që përfshijnë dëshmitarë të tillë, atëherë duhet të analizohet me kujdes nëse kemi të bëjmë me një proces të drejtë apo me një narrativë të ndërtuar për qëllime të tjera. Ne nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar, por kërkojmë që ligji të zbatohet drejt dhe njëjtë për të gjithë. Nëse rasti i tij po përdoret për qëllime politike, kjo është e papranueshme dhe e rrezikshme për vetë funksionimin e drejtësisë”, tregoi Spahiu.

Ndërkohë, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha për tëvë1 ka konfirmuar se kanë dorëzuar dokumente te autoritetet serbe për Arbnor Spahiun, që i njëjti nuk ka qenë pjesë e operacionit në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.

Sipas Policisë së Kosovës, i njëjti nuk është pjesë e tyre nga viti 2022.